E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sfidohet policia ndërtimore, objekti i shembur në Llogara po rindërtohet - VIDEO

VLORË- Pavarësisht disa aksioneve të zhvilluara në zonën e Llogarasë dhe atë të Vlorës për shembjen e ndërtimeve pa leje, duket se në fakt ende vijohet të ndërtohet.

Kamera e News 24 ka fokusuar një objekt që është në ndërtim e sipër në zonën e Llogarasë. Pikërisht në aksionin e datës 11 korrik u shemb kati i fundit i kësaj ndërtese që ndodhet në vendin e quajtur ballkoni i Llogarasë, ku të gjithë pushuesit ndalen për fotografi, në udhëtimin e tyre drejt jugut të Shqipërisë.

Pamjet që po shihni në ekran i përkasin datës 11 korrik, gjatë momentit të shembjes së këtij kati. Po çfarë ndodh dy javë më vonë?

Në pamjet e filmuara nga një kamera amatore duket qartë që objekti po vijon të ndërtohet. Poshtë betonit që duket në pamje është një kat i ndërtesës. Kamera fokuson edhe një depozitë të mbushur me ujë, e cila përdoret për të lagur betonin e sapo hedhur. Një tjetër gjë që të bie në sy janë thasët me çimento që tregojnë se objekti vijon të ndërtohet qetësisht, pavarësisht deklaratave të ditëve të fundit nga krerët vendorë se nuk do të lejohet asnjë objekt pa leje në gjithë vijën bregdetare.

Në pamje duken edhe personat që kryejnë ndërtimet dhe pavarësisht se është një zonë e frekuentuar masivisht në kulmin e sezonit veror, ndërtimi nuk ka vrarë syrin e asnjë drejtuesi vendor, apo personave të tjerë kopetentë.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›