E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shaban Memia: Në shtator legalizimet e para

Kreu i ALUIZNI-t shprehet se ndryshimet në ligjin për legalizimet i ka hapur rrugë konkludimit të procesit

Legalizimi i ndërtimeve në zonat informale duket se do të jetë, edhe kësaj radhe, karta që do të përdorë mazhoranca aktuale në zgjedhjet e ardhshme elektorale. Megjithëse brenda tre vjetëve që nga ardhja në pushtet e së djathtës, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale (ALUIZNI) ka shpërndarë vetëm disa dokumente legalizimi, këto gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve lokale të vitit 2007, ajo pretendon se duke filluar nga muaji Shtator do të fillojë shpërndarjen e afro 200 mijë tapive të tjera, dhe kjo tani në pragfushate zgjedhore. Këtij qëllimi i kanë shërbyer dhe ndryshimet që mazhoranca i bëri ligjit për “Legalizimin dhe urbanizimin e Zonave Informale” vetëm një muaj më parë. Një fakt të tillë e konfirmon, megjithëse jo në mënyrë të drejtpërdrejtë, dhe kreu i kësaj Agjencie, Shaban Memia, i cili thekson se ndryshimet e bëra evitojnë të gjitha ato hallka që mund të pengonin këtë proces. “Ligji i ri, i ndryshuar, për legalizimet është sjellë në frymën e Kushtetutës dhe është thjeshtuar nga burokracitë, duke i dhënë të drejtën që meritojnë pronarëve legjitimë”,- u shpreh Shaban Memia. Sipas tij, ligji i ndryshuar për legalizimin e zonave informale i jep të drejtën që meriton pronarëve legjitimë, si atyre që do të kompensohen para këtij procesi dhe atyre që kanë të drejtë për ta zhvilluar pronën e tyre brenda vijës së verdhë. Ai shpjegoi se sipas këtij ligji, pronarët legjitimë do të kompensohen për sipërfaqen që i është zënë, ndërsa do u lihen në dispozicion të gjitha territoret që janë të pazëna dhe për të gjitha territoret brenda vijës së verdhë, pronari ka të drejtën ekskluzive të zhvillimit urban të tyre. Memia shprehet se implementimi i teknologjive të reja do t'i japë një zgjidhje të përhershme regjistrimit të pasurive, si dhe menaxhimit e kontrollit të territorit. “Teknologjia e implementuar do ta çojë në zero deformimin dhe aferat korruptive në këtë fushë, ndërsa në muajin shtator do të bëhen publike të dhënat për dosjet e vetëdeklaruara”, - u shpreh Memia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›