Godo: Berisha e trajton Bollanon si beniamin
Presidenti i Nderit i Asamblesë së Partisë Republikane dhe një nga njohësit e mirë të historisë së vendit tonë, Sabri Godo, shprehet i revoltuar për qëndrimin që mban në vazhdimësi shteti shqiptar ndaj provokimeve të herëpashershme të kreut të Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano. Në një intervistë për “Shekullin”, ai thekson se pretendimet e të ashtuquajturve “grekë” janë të pabaza dhe provokative.
Z.Godo, Himara dhe një herë është bërë qendër e një konflikti të hershëm midis elementit pro-grek dhe atij shqiptar, por kësaj radhe për pronat. Komenti juaj...
Unë di që shumicë e qytetarëve himariotë ankohen se i janë përvetësuar pronat, ankohen se janë bllokuar në Hipotekë, ankohen se atje vepron një mafia që po u shkel të drejtat e tyre. Unë nuk e di se sa qëndron kjo, por kur flasin shumë njerëz, atëherë diçka duhet të jetë e vërtetë në këto pretendime. Ndërkohë, në krahun tjetër ka kundërveprime nga një grup njerëzisht që nuk hezitojnë ta quajnë veten “grekë” dhe ta quajnë Himarën “tokë greke”. Nuk di se si i lejon ende shteti shqiptar këto, sepse të tilla qëndrime dhe të tilla deklarime bien ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, pasi prekin tërësinë territoriale të vendit. Dikush mbyll njërin sy dhe tjetri njërin vesh, ndërsa gjerat atje në Himarë bëhen sheshit. Dhe unë se di për sa kohë do të lejohet kjo gjendje.
Ndërkohë kryetari i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, në një takim që ka patur sot (dje) me mbështetësit e tij pro-grekë ka deklaruar dhe më pas ka vendosur që të ngrejë komisione të posaçme për rishikimin e titujve të pronësisë. A përbën ky një shkelje të ligjeve të Shtetit Shqiptar dhe ngritje të strukturave paralele për realizimin e një qëllimi të tillë?
Kjo është një shkelje flagrante, që do të thotë se Bollano dhe grupi i tij i miqve grekë nuk e njohin faktisht Shtetin Shqiptar. Ata veprojnë në mënyrë krejt arbitrare pasi njerëz të emëruar nga Bollanoja paskan marrë fuqinë e Zotit dhe mund të ndajnë tokat në Himarë. Unë them se ky përbën një rast tjetër për të paditur këtë njeri për shkelje flagrante të ligjeve të këtij shteti. Shteti ka strukturat dhe mekanizmat e veta për verifikimin dhe kthimin e pronave dhe askush nuk mund t’i mohojë apo t’i mënjanojë ato. Pavarësisht nga opinioni se si punojnë nuk mundet t’i zëvendësojnë ato me organizma të tjera paralele. Ky është një rebelim i hapur ndaj shtetit shqiptar.
Z.Godo, ju jeni shprehur më parë se Kryeministri duhet ta shkarkojë kreun e Bashkisë së Himarës, për shkelje të Kushtetutës dhe provokime të herëpashershme ndaj ndjenjave kombëtare të shqiptarëve. Si do ta vlerësoni qëndrimin e Kryeministrit shqiptar ndaj një kërkese të tillë, që, për hir të së vërtetës, besoj se mbështetet dhe nga shumë shqiptarë të tjerë.
Unë nuk kam ndonjë pretendim që Kryeministri të bëjë atë që sugjeroj unë. Unë flas si qytetar dhe si i tillë, dua që të dëgjohem. Dhe shoh nga ana e kundërt, që në vend që Kryeministri të zemërohet me këtë Bollanon, nuk them se s’duhet të ketë marrëdhënie formale me të kur bën vizitë në Himarë, por jo ta trajtojë si një beniamin, sikur të ketë bërë vetëm të mira atje dhe të dëgjojë vetëm këshillat e tij. Këtë qëndrim të Berishës unë se kuptoj fare. Në këtë mënyrë duket se Bollano do të vazhdojë punën e tij, pasi ndodhet i përkrahur dhe mbështetur. Mirëpo, çështja nuk mbetet vetëm tek këto provokime pasi ne po shohim dhe gjëra të tjera dhe ne si shtet, duket se na ka zënë një lloj paralize, sepse kohët e fundit është bërë i ditur lajmi se Ministria Greke njeh shërbimin ushtarak të minoritarëve shqiptarë në Greqi. Me këtë mund të themi se u tejkalua çdo lloj kufiri, pasi ata mund të kenë kombësi greke, por ata janë shtetas shqiptarë dhe duhet të plotësojnë të gjitha detyrimet që kanë ndaj shtetit shqiptar. Kjo është një ndërhyrje brutale në punët e brendshme të Shqipërisë dhe unë pres tani të shoh nëse do të ketë ndonjë reagim nga qeveria jonë, se gjithnjë i kalon në heshtje këto gjerat e reja që dalin herë pas here nga pala greke, e cila duke gjetur dhe terren të lirë, kalon nga një hap në një tjetër.
Si mendoni se mund të zgjidhet çështja e Himarës?
Nuk ka asgjë për të zgjidhur, nuk ka asgjë për të vendosur, ka një vetëm që problem: që të merren masa administrative ndaj atyre që shkelin Kushtetutën dhe Ligjet e këtij vendi. Nuk është një diskutim Himara, as si territor, as si identitet dhe as si përbërje, Himara është thjesht një krahinë e Shqipërisë që duhet të administrohet ashtu si gjithë prefekturat dhe bashkitë e këtij vendi, pa asnjë dallim. Ata që bëjnë dallime duhet të penalizohen. Ekziston vetëm ky problem dhe asnjë problem tjetër.
Vetë banorët himariotë që e konsiderojnë veten grekë, shprehen se ndihen të diskriminuar nga faktori shqiptar.
Unë se kuptoj se ku janë shkelur të drejtat e tyre. Unë kam parë vetëm deklaratat e disa njerëzve gënjeshtarë dhe dredharakë, që kërkojnë me çdo kusht të krijojnë probleme dhe që kërkojnë me këmbëngulje, aneksimin e Himarës. Ky është vagabondazh politik dhe duhet marrë përgjigje me ligj. Askush nuk mund të provojë se ka ndonjë lloj diskriminimi të himariotëve të asaj pale që e konsideron veten greke.
Jua bëra këtë pyetje z.Godo pasi një nga kërkesat që kishin hedhur tubuesit gjatë takimit të drejtuar nga Bollano dhe ku flitej vetëm greqisht, ishte dhe ajo për hapjen e një shkolle greke në Sarandë…
Besoj se këta mund të hapin shkolla greke kudo që do t’u teket. Hapja e shkollave të huaja këtu kontrollohet nga Ministria e Arsimit dhe ligjet shqiptare. Dhe tani, meqenëse ata i kanë shkelur këto, sepse praktikisht kanë hapur shkolla pa pyetur dhe në Korçë dhe në Himarë dhe gjetiu, duket se do të vazhdojnë kudo. Ky është një turp për Shtetin Shqiptar.