E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shaip Muja mbetet pa arinj të murrmë

Aksioni për shpëtimin e arinjve të murrmë nga minikopshtet dhe restorantet do të vazhdojë edhe nesër. Ekipi nga MMPH dhe fondacioni “Katër Putrat” gjatë ditës së nesërme do ta bëjnë transportin e tre arinjve të murrmë nga rajoni i Pejës.

Fillimisht, siç njofton MMPH, do të merren arinjtë nga restoranti “Gryka” që gjendet afër grykës së Rugovës, ku momentalisht janë të internuar dy arinj. Aksioni do të fillojë në orën 11:00.

“Më pas, do të merret edhe ariu që gjendet në restorantin “Antika” në Pejë. Të tre arinjtë pritet të mbërrijnë në shtëpinë e tyre të re, në strehimoren afër liqenit të Badovcit, rreth orës 16:00”, njofton Ministria e Ambientit.

Ndërkaq, të shtunën, më 1 qershor, në orën 6:00 të mëngjesit, do të merren edhe të pesë arinjtë që gjenden në minikopshtin e restorantit “Te Ariu” në Veternik.

“Me këtë përfundon edhe i gjithë misioni i shpëtimit të kësaj specie strikt të mbrojtur të natyrës së Kosovës. Me arinjtë që do të transportohen gjatë dy ditëve të ardhshme, numri i arinjve në strehimore do të arrijë në 13, që është edhe numri final i arinjve të identifikuar që ishin në internim”, njofton kjo Ministri.

Ndërkaq, përmes një reagimi tjetër dërguar mediave, MMPH ka demantuar lajmin e publikuar në disa media elektronike kinse arinjtë e Naim Mujës, vëllait të deputetit Shaip Muja, nuk do të merren për t’u sistemuar në strehimoren përkatëse për arinjtë e murrmë pranë liqenit të Badovcit, shkruan Zëri.

MMPH, përmes këtij reagimi, njofton opinionin e gjerë se pas bisedave me pronarin e pesë arinjve, Naim Muja është shprehur i gatshëm të bashkëpunojë me ministrinë./Indeksonline./

“Edhe unë jam i barabartë, sikur të gjithë, përballë ligjit”, kishte deklaruar Muja gjatë bisedave me zyrtarët e MMPH-së.

MMPH me këtë rast i është falënderuar Naim Mujës për këtë bashkëpunim, ndërkohë që dita e shtunë (1 qershor) kur dhe do të transferohen arinjtë nga Veterniku, do të jetë rasti i dytë i transferimit të arinjve pa prezencë të Policisë së Kosovës.

“Ministri Dardan Gashi është i vendosur t’i shkojë deri në fund këtij rasti dhe ndëshkimin meritor të vrasësve siç e parasheh ligji si dhe cilitdo rast eventual në të ardhmen”, thuhet në reagimin e MMPH-së./Indeksonline./

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›