Shala: Kuçi nuk ka pasur “Kod të Zhvillimit”

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje në Suharekë, Leonard Shala, nuk është i kënaqur me punën që ka bërë kryetari i Komunës, Blerim Kuçi.
Ai tha se kryetari Kuçi nuk i ka realizuar premtimet që ka dhënë gjatë fushatës zgjedhore në vitin 2009. ” Vetëm premtimin për zgjidhjen e problemit të ujit të pijes e ka realizu nja 70 për qind. Premtimet e tjera nuk i ka realizuar”, tha Shala për “PrizrenPress”.
Kryetari i Suharekës Blerim Kuçi, gjatë fushatës zgjedhore ka premtuar realizimin e “Kodit të Zhvillimit”.Por, Shala tha se Kuçi gjatë qeverisjes nuk ka pasur kurrfarë “Kodi të Zhvillimit”. “ Ai ‘kod’ nuk ka ekzistuar askund. Nuk mund ta gjesh as sot “Kodin …” që ka premtuar Kuçi. As në web faqe të Komunes nuk gjendet “, tha Shala.
Sipas tij, kryetari Kuçi nuk e ka realizuar as premtimin e dhënë për t’i dalë në ndihmë vreshtarisë. “Jo që nuk e ka ndihmur, por ka qenë edhe pjesëmarrës në privatizim. Janë shkatërruar mbi 500 hektar vreshtari”, tha ai.
Shala akuzon kryetarin e Suharekës, Blerim Kuçin edhe për mungesë të transparencës. “Aspak nuk ka qenë transparent ndaj qytetarëve. Ka qenë i mbyllur pothuajse tërësisht për publikun”, tha Shala.
Lëvizja Vetëvendosje! në Suharekë, të dielën do të hapë procesin zgjedhor për zgjedhjen e kandidatit për kryetar të Suharekës. Shala tha se kandidati do të zgjedhet me vota. “ Të drejtë të kandidimit kanë të gjithë që marrin një të pestën e nëshkrimeve të Këshillit të Qendrës. Ata kandidatë pastaj votohen nëpër pikat tona”, tregoi Shala.
Ai tha se Vetëvendosje në Suharekë është duke punuar në hartimin e një programi alternativ të qeverisjes së Komunës. “ Alternativa jonë do të jetë më e mira për qytetarët e Komunës së Suharekës. Koncepti ynë do të jetë më i pranueshëm”, shprehet ai./Indeksonline/