Shala: Strategjia ka të meta serioze

Nënkryetari i Parë i AAK’së, Blerim Shala, në një intervistë për Radion Europa e Lirë, ka përshëndetur përpjekjet e Zyrës Civile Ndërkombëtare për shtrirjen e lirshmërisë në tërë territorin e Kosovës.
Mirëpo, sipas tij, Strategjia për Veriun ka tri të meta serioze. “Kam dyshimet e mia se në ç’mënyrë do të zbatohet Strategjia për Veriun e Kosovës”, ka thënë Shala.
“E meta e parë është që llogaritet se në një mënyrë apo tjetër Beogradi do të heshtë, nuk do të kundërshtojë, nuk do të krijojë probleme për zbatimin e strategjisë. Ndërsa kemi parë, edhe unë, edhe ju, që në ditët e kaluara, zyrtarët e Beogradit kanë thënë në mënyrë kategorike, madje edhe presidenti i Serbisë, Tadic, ka paralajmëruar që në Këshillin e Sigurimit do ta trajtojë këtë çështje, duke thënë që ka bërë strategji ilegale Zyra Civile Ndërkombëtare në Kosovë”, ka deklaruar nënkryetari i Parë i AAK’së.
Sipas tij, e meta e dytë është se llogarit për së tepërmi në një konsensus të Bashkimit Europian për këtë dokument. “E dimë që pesë shtetet e Bashkimit Europian e kanë kundërshtuar pavarësinë e Kosovës”.
“Dhe, e meta e tretë është hartimi i një dokumenti shtesë, i cili është tepër i rëndësishëm, i cili ka të bëjë me sigurimin e ambientit të sigurisë në veri të Kosovës, sepse zakonisht planet e tilla, propozimet e tilla politike kërkojnë një mbështetje të fuqishme të sigurisë”, ka shtuar Shala.