LDD thyhet në Ferizaj

Nënkryetari i Degës së LDD’së në Ferizaj, Sahit Krasniqi, ka demantuar shkrimet për mundësinë e kalimit të tij në subjektin e dikurshëm, LDK.
Ai ka thënë nuk e ka ndërmend ta tradhtojë LDD’në, tash për tash. “Asgjë nuk është e vërtetë nga kjo që thuhet në medie e që flitet në çarshi. Unë jam në LDD. Me askënd nga Dega e LDK’së nuk kam biseduar për këtë mundësi. Kjo është një ofertë e vjetër që daton para zgjedhjeve lokale”, ka deklaruar Krasniqi, për Express, të shtunën.
Sahit Krasniqi, bartës i listës së këshilltarëve të LDD’së, aktualisht këshilltar në Asamblenë Komunale të Ferizajt, kishte një konflikt të hapur me nënkryetarin e LDD’së, njëherësh deputet në Parlamentit të Kosovës nga Ferizaj, Adem Salihaj. Përkundër një pajtimi formal që bëri grupi i Krasniqit me atë të Salihajt, vetëm pak kohë para zgjedhjeve lokale, duket se çarjet në Degën e LDD’së në Ferizaj kanë mbetur të dukshme, gjë kjo e cila edhe është reflektuar në zgjedhjet e fundit, nga të cilat dardanët e Ferizajt, dikur bastion i LDD’së, dolën dukshëm më të dobësuar.
Krasniqi nuk e përjashton mundësinë që spekulimet për kalimin e tij nga LDD në LDK të kenë burimin edhe nga vetë partia e tij.
“Ka mundësi që edhe dikush nga Dega e LDD’së të ketë lansuar këtë të pavërtetë, për qëllime të veta. Kjo për faktin se unë kam obligim ndaj elektoratit tim, ndërsa dikush provon që në këtë formë të më komprometojë para tyre. Nëse vendos për diçka të tillë, gjë që varet ekskluzivisht nga unë, ndjej obligim që këtë së pari ta bëjë publike para elektoratit tim, pastaj për mediet e të tjerët”, ka thënë Krasniqi, duke mos e mohuar faktin se edhe LDD-ja, edhe LDK-ja në Ferizaj, janë në një krizë të thellë.
Ish-kryeshefi i Ekzekutivit komunal, Sahit Krasniqi, i cili nga ky post u largua pas një beteje të ashpër politike me kryetarin e atëhershëm, Faik Graincën e LDK’së, vlerëson se e gjithë kjo zhurmë është e bazuar në ofertën që kishte para zgjedhjeve nga LDK dhe në ofertat tjera në nivel të Kosovës që iu bëhen dardanëve nga LDK. Krasniqi nuk ka mohuar faktin se kjo zhurmë të jetë edhe prodhim i hallakamës që momentalisht ekziston në Degën e LDK’së, e cila për herë të parë pas zgjedhjeve është takuar të shtunën. Gjendja në këtë degë, kurrë nuk ka qenë më e keqe. Këtë e konfirmojnë burime nga kjo degë, të cilat nuk duan të identifikohen.
Këto burime fajësojnë organet më të larta të partisë në Prishtinë, të cilat vazhdojnë ta mbajnë Graincën, përkundër që si kandidat për kryetar komune nuk mori as votat e anëtarëve të LDK’së. Këto burime thonë se anëtarësia e LDK’së votoi për kandidatë të partive të tjera, por jo për kandidatin e tyre, madje duke i identifikuar edhe zonat ku kjo ka ndodhur. Po këto burime thonë se Dega e LDK’së vazhdon të mbahet peng nga qendra, duke fajësuar për këtë anëtaren e Kryesisë së LDK’së, njëherësh deputete në Parlamentin e Kosovës, Sanie Aliaj.
Burime të Express thonë se të paktën dhjetë zyrtarë të lartë të LDD’së në Degën e Ferizajt, pritet t’i bashkohen LDK’së ditëve të ardhshme.