E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bin Laden merr përgjegjësinë për sulmin në Detroit

Udhëheqësi i Al Qaidës, Osama Bin Laden, ka marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin e dështuar kundër një aeroplani amerikan në Detroit, në ditën e Kërshëndellave, në audio-porosinë e tij më të re të emetuar sot dhe u zotua se do të ndërmarrë sulme të reja kundër SHBA-së.

Porosia sugjeron se Bin Ladeni dëshiron të dëshmojë se ai mbetet në komandë të drejtpërdrejtë të degëve të shumta të Al Qaidës që veprojnë në pjesë të ndryshme të botës.

Në audio-porosinë e shkurtë, të emetuar nga kanali televiziv, Al Jazeera, Bin Ladeni ju adresua presidentit amerikan, Barack Obamës, duke theksuar se sulmi në Detroit ishte një porosi e ngjashme me atë të 11 shtatorin dhe paralajmëroi sulmet e reja kundër SHBA-së.

“Porosia e cila ju përcoll juve nepërmjet aeroplanit nga ana e heroit Umar Abdulmutallab ishte konfirmim i porosive të mëhershme, të cilat ja u përcollën heronjtë e 11 shtatorit. Amerika as që do të jetë në gjendje ta ëndërrojë sigurinë, përderisa të mos e kemi realitetin e quajtur Palestinë. Me vullnetin e Zotit, sulmet tona do të vazhdojnë, për aq kohë sa ju të vazhdoni përkrahjen për Izraelin”, tha Bin Laden.

Në ditën e Kërshëndellave, nigeriani Abdulmutallab u përpoq të hedhë në ajër një aeroplan, gjatë aterrimit në qytetin e Detroitit. Megjithatë, bomba të cilën ai e kishte fshehur në trup nuk shpërtheu.

Më pas, ai i tha agjentëve federativ se ai për këtë sulm është trajnuar nga pjesëtarët e Al Qaidës në Jemen.

Fillimisht, për këtë sulm përgjegjësinë e mori Al Qaida në Gadishullin e Arabisë, por me audio-porosinë më të re, Bin Ladeni duket se dëshiron të dëshmojë se ai vet po jep urdhër për ndërmarrjen e sulmeve.

Analistët më herët kanë sugjeruar se degët e Al Qaidës në Afrikën e Veriut, në Gadishullin e Arabisë dhe në pjesët tjera, po veprojnë në mënyrë të pavarur nga Bin Ladeni, për të cilin besohet se po fshehet diku në rajonin kufitar mes Pakistanit dhe Afganistanit.

Nuk kishte mundësi të konfirmohej autenciteti i porosisë më të re, por ajo i ngjason mjaft porosive të mëhershme, të cilat i janë atribuuar Bin Ladenit.

Gjatë vitit të kaluar, porositë e Bin Ladenit janë përqendruar kryesisht në vuajtjet e palestinezëve, në kuadër të përpjekjeve të tij për të siguruar mbështetje në gjithë rajonin.

Shumë analistë besojnë se Bin Ladeni është i brengosur për popullaritetin e Barack Obamës në në Lindjen e Mesme, pas premtimeve të tij për tërheqje nga Iraku dhe për këtë arsye udhëheqësi i Al Qaidës tani më shumë po përqendrohet në marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Izraelit.

Vuajtjet e palestinezëve, në veçanti bllokada e Gazës, kanë hidhëruar tej mase botën arabe.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Izraelit, Andy David, dënoi porosinë më të re të udhëheqësit të Al Qaidës dhe përpjekjet e tij për të ndërlidhur Izraelin me sulmet kundër SHBA-së.

“Kjo nuk është asgjë e re, këto gjëra ai i ka thënë edhe më herët. Terroristët gjithmonë kërkojnë justifikime absurde për veprat e tyre të tmerrshme”, tha David.

Porosia e fundit publike e Bin Ladenit ka qenë ajo në shtator të vitit të kaluar, kur ai kërkoi nga shtetet evropiane që të tërhiqen nga Afganistani. Ky “urdhër” u përcoll gjithashtu me anë të një audio-porosie, në të cilën ai u kërcënua me hakmarrje kundër shteteve, të cilat e ndihmojnë luftën e SHBA-së.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›