Të gjitha rrugët janë të kalueshme, sipas policisë

Bora që ka nisur të bie në orët e pasdites ka vështirësuar qarkullimin e automjeteve, por të gjitha vendkalimet dhe rrugët janë të kalueshme, dhe fatmirësisht nuk janë shënuar aksidente në komunikacion, kanë thënë për Kosovapress zyrtarë të Policisë së Kosovës.
Brahim Sadriu, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës, ka thënë se Policia e Kosovës, në shumicën e drejtorive rajonale ka kontaktuar me kompanitë përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugëve, në mënyrë që të lehtësohet qarkullimi i automjeteve në trafik.
“Sa i përket gjendjes së rrugëve në përgjithësi ka vështirësi në komunikacion sidomos në rrafshet rrugore, Prishtinë-Besianë. Gjithashtu, edhe në regjionin e Pejës ka vështirësi në aksin rrugor Pejë-Rozhajë, por të gjitha vendkalimet dhe rrugët janë të kalueshme, edhe pse me vështirësi”, ka thënë Sadriu.
Për më tepër, ai ka theksuar se deri më tash nuk janë shënuar aksidente në komunikacion si pasojë e rënies së borës, por nënvizon se ngasësit e automjeteve nuk duhet të dalin në trafik pa pajisje dimërore.