E sëmura mendore dogji furgonin e policisë
Makina e grupit të gatshëm të policisë në qytetin e Poliçanit është përfshirë nga flakët në orët e para të mëngjesit të 22 majit. Policia e Beratit, që kreu hetimin, deklaroi se bëhet fjalë për një zjarrvënie nga një e sëmurë mendore. Burime nga qyteti i Poliçanit sqaruan se rreth orës 03:00 të mëngjesit të 22 majit 2010, mjeti tip “Iveko” furgon është përfshirë nga flakët dhe më pas ka shpërthyer nga sasia e karburantit që ndodhej në të. Oficeri i rojës pranë postës së policisë në këtë qytet ka pikasur i pari zjarrin. Mjeti mësohet se ka qenë i parkuar pranë postës së policisë në kohën kur janë shfaqur shenjat e para të zjarrit. Punonjësi i gatshëm sapo ka parë makinën të përfshirë nga flakët, ka kërkuar ndihmën e zjarrfikëses në këtë qytet dhe të kolegëve të tyre. Por, ndonëse mjeti zjarrfikës ka mbërritur pa vonesë në vendin e ngjarjes, furgoni është djegur krejtësisht.
Nga hetimet rezultoi se zjarri ka qenë i qëllimshëm dhe është vendosur nga një e sëmurë mendore, e cila është parë pranë makinës në çastin e shfaqjes së shenjave të para të zjarrit. Vajza 33-vjeçare është marrë në pyetje nga ekspertët kriminalë, por nuk kanë arritur të marrin shumë detaje prej saj. Ajo ka qenë e papërgjegjshme për veprimet e saj.