E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lamtumira e legjendës

Legjenda e Real Madridit, Raul Gonzalez ka njoftuar të hënën në një konferencë për shtyp se do të largohet nga Bernabeu pas 15 vjetësh. Klubi spanjoll e kishte përgatitur një ceremoni për ikonën e vet.

Numri 7 i Los Blancos është golashënuesi më i mirë i të gjitha kohëve në këtë ekip. 33-vjeçari ishte mjaft i emocionuar, kur e shfaqi vendimin e tij përpara mediave, në stadiumin Bernabeu.

“Këtë klub nuk do ta harroj kurrë. Sot është një ditë mjaft e vështirë për mua. Unë e dua më shumë se çdo gjë tjetër futbollin, është një ndjenjë e posaçme të jesh futbollist. Gjithmonë e kam dhënë më të mirën nga vetja në fushë”, theksoi ai.

“Fjala ‘dorëzim’ nuk ekziston për mua, as për Realin e Madridit. Dëshiroj t’i falënderoj të gjithë ata që më mbështetën në këto vite: fansat, bashkëlojtarët, trajnerët, presidentët dhe shtypin. Po ashtu, falënderim special kam për familjen time, nuk do të isha asgjë pa të”, tha sulmuesi spanjoll.

Raul pritet të lëvizë drejt Gjermanisë, përkatësisht te Schalke 04, në orët e ardhshme, por nuk deshi të flasë konkretisht për këtë punë. “E ardhmja ime do të zgjidhet shpejt. Jam kërkuar prej klubeve nga Gjermania, Anglia, Turqia, SHBA-ja dhe Kina në muajt e fundit kur isha në pushime. Por, besoj se sot vëmendja e të gjithëve është e koncentruar te koha ime në Real Madrid. Kështu që, do të ketë kohë të flasim për të ardhmen”, shtoi ai.

Raul e pranon se do ta provojë një eksperiencë të re, në një vend jashtë Spanjës, duke bërë të ditur tërthorazi se do t’i bashkohet Schalkes së trajnerit Felix Magath. Ish-përfaqësuesi spanjoll dëshiron ta shijojë ende lojën e futbollit, të cilën gjë e bëri gjatë gjithë jetës së tij. “Do të jem i gatshëm gjithmonë kur Reali ka nevojë për mua. Përshëndetje Madrid”, përfundoi ai.

Ndërkohë, presidenti i Realit, Florentino Perez ka thënë se për Raulin kjo nuk do të jetë një ‘lamtumirë’, por një ‘shihemi më vonë’. “Raul ka fituar gjithçka që mund të fitohet, me një punë të palodhshme. Ai do të jetë një nga i yni, përgjithmonë. Unë e takova Raulin në vitin 2000 dhe njëra nga ëndrrat e mia është që çdo futbollist që vjen këtu, ta ketë shpirtin e tij për skuadrën”, ka deklaruar Perez, duke premtuar se Raul i ka dyert e hapura dhe se në të ardhmen mund ta marrë ndonjë pozitë, te klubi mbretëror spanjoll.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›