Shala, poetja e re vlerësohet në qarqet holandeze
Këto ditë në Panairin e Librit të Antverpenit, në Belgjikë, në një ceremoni u promovua vëllimi me poezi me titullin “Papa Dixhital” i autores shqiptare Albana Shala. Ky vëllim, i pari i kësaj autoreje, i konsideruar si një prirje befasuese në letrat shqipe, mori çmimin "Migjeni" në konkursin e organizuar vitin e kaluar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Autorja Albana Shala është pak e njohur në mjedisin letrar të vendit, përmes disa tufëzave poezish dhe tregimesh të shkurtra, të botuara në shtypin periodik në Shqipëri dhe Kosovë. Ajo jeton dhe punon prej afro 15 vjetësh në Holandë. Botimin e vëllimit poetik të Albana Shalës në Belgjikë e realizoi shtëpia botuese “Uitgeverij P”, e njohur si mbështetëse e krijuesve të talentuar edhe nga vende të tjera të botës. Poezitë e vëllimit "Papa Dixhital" janë përkthyer me kompetencë dhe përkushtim në gjuhën holandeze nga shkrimtarja austriake, Andrea Grill, njohëse shumë e mirë e gjuhës shqipe dhe autorë e dy romaneve që janë mirëpritur në mjediset letrare të vendit të saj. Në promovimin e këtij libri, që i shtohet kolanës së veprave të autorëve shqiptarë të botuar në vende të tjerë, morën pjesë dashamirës të artit e letërsisë belge e holandeze e miq të autores. Me këtë rast, duke evidentuar vlerat e veçanta të këtij botimi, folën poeti i njohur belg z. Koen Stassijns, i cili është njohës i mirë i poezisë shqipe dhe botuesi z. Leo Peraer.