Kreditë e këqija, bankat zgjasin afatin e kthimit dhe rrisin interesat
Nëse ke marrë kredi në bankë dhe nuk ke mundësi që ta kthesh atë brenda afateve të përcaktuara në kontratën e nënshkruar me bankën, të ofrohet një zgjidhje nga bankat e nivelit të dytë. Ti mund të zgjasësh kontratën në një afat më të gjatë kohor, por në këtë rast interesi që do t’i paguash bankës do të jetë më i lartë. Ekspertë të bankingut të pyetur nga “standard”, nëse është shqetësues niveli prej 10 për qind i kredive të këqija, e dhënë kjo e publikuar nga Banka e Shqipërisë, kanë deklaruar se për bankat kjo do të thotë vonesë në kohë për të vlejë kredinë, por jo humbje e saj. “Kreditë me probleme të deklaruara nga BSH në masën 10 % tregojnë një mesatare të bankave të nivelit të dytë. Ka banka që nivelin e kredive të këqija e kanë më të lartë deri në 12-13 për qind, madje dhe më shumë. Por banka duhet të ketë politikat e saj për të lehtësuar klientët që ta kthejnë këtë kredi, kur ata hasen me vështirësi”, - thotë një ekspert kredie i Bankës Popullore. Ai shpjegon se në këto raste banka rishikon kontratën me klientin dhe zgjat afatin, nëse ai ka një kontratë 3 ose 4-vjeçare mund të bëhet deri në 7 vjet koha e kthimit të kredisë. Por në këtë rast, klienti do të ketë më të vogël këstin mujor dhe afat më të gjatë për ta kthye këtë kredi, por në total interesi që ai do i kthejë bankës sigurisht do të jetë më i lartë. Kjo është një ndër mënyrat që bankat e nivelit të dytë përdorin për të trajtuar kreditë me probleme. Ndërkohë që rruga tjetër mbetet konfiskimi i kolateralit që klienti ka vënë për kthimin e kredisë, por që kjo ka me shumë procedura, do më shumë kohë, herë edhe ndërhyrjen e Përmbarimit. Kreditë me probleme në kthimin e tyre në banka janë rritur në 3-mujorin e tretë të vitit 2009. Një fakt i tillë është pranuar edhe nga Banka e Shqipërisë, e cila në raportin e saj ka deklaruar se kreditë me probleme (ose kreditë e këqija) janë rritur me 10 për qind, një nivel i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2008 dhe vitit 2007. Gjatë këtij viti, kreditorëve shqiptarë iu krijuan vështirësi në kthimin e kredive, në ato të marra në valutë të huaj, sidomos në euro, me vlerën e këmbimit të kësaj monedhe në raport më lekun. Shumë kredimarrës, që kanë kreditë në monedhën evropiane, iu është dashur ta paguajnë atë shumë më shtrenjtë sesa në fillim kur kanë nënshkruar kontratën, për shkak se vlera e euros u rrit shumë në raport me lekun, duke arritur madje dhe kufirin historik, kur një euro u këmbye me 140 lekë, rreth një muaj më parë. Në këtë rast, për shumë klientë të bankave kredia u rrit deri në 10 për qind dhe kjo krijoi vështirësi në shumë raste në likuidimin e kredisë në raport me bankat e nivelit të dytë.