Shala tërheq vërejtjen, s’ka Ahtisari Plus

Beogradi me ndarjen e Kosovës ka për qëllim krijimin e entitetit serb në veri, sipas modelit të Republika Serpska apo të ashtuquajturit Ahtisaari plus, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, nënkryetari i parë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Shala.
“Gati nuk na kalon dita pa e dëgjuar ndonjë deklaratë të një zyrtari serb, i cili pikërisht, flet për ndarjen e Kosovës, apo edhe për opsionin e shkëmbimit të territoreve, i cili është vetëm sa për të na joshur neve, për të biseduar për këtë çështje. Tema e ndarjes së Kosovës, definitivisht duhet të mbyllet. Nuk duhet të diskutohet prej nesh, jo vetëm të bisedohet, por as të mendohet për këtë opsion. Çfarë mendoj që do të ndodhë në fund, është që Beogradi në fund do të thotë që ne e kemi pasur si pikënisje ndarjen e Kosovës, Kosova ka pasur si pikënisje opsionin Ahtisari, duhet ta gjejmë një rrugë të mesme”, ka deklaruar Shala, duke shtuar se, sipas tij, rruga e mesme, shumë e rrezikshme, “është rruga e krijimit të një entiteti serb, i cili do të ishte Ahtisari plus, apo Republika e Serbisë minus”.
Duke përmendur çështjen e bisedimeve me Serbinë, Shala thotë gjithashtu, subjekti që ai përfaqëson, por edhe opinioni publik, nuk di absolutisht asgjë rreth marrëveshjeve eventuale mes Kosovës e Serbisë.