E Enjte, 5 Nëntor 2026

Shalsi: Opozita po saboton komisionin për inceneratorët, PS s’bëhet mburojë për askënd

Deputeti socialist, Eduart Shalsi, ka hedhur dyshime se puna e opozitarëve në Komisionin Hetimor, po shndërrohet në pengesë për drejtësinë, lidhur me hetimet për inceneratorët. Nëse kjo bëhet e qëllimshme ose jo, Shalsi nuk di ta thotë, ndërsa ka pasur kritika edhe për kryetaren e këtij Komisioni, Jorida Tabaku.

“Më vjen keq për kryetaren e Komisionit. Jam munduar ta ngushëlloj. Kryetari duhet të jetë i paanshëm dhe të lërë komisionin të bëjë punën e tij. Merr rolin e gjykatësit, prokurorit. A janë të interesuar që drejtësia të bëjë punën e vet? Po e bëj se shumë nga qëndrimet e tyre mund të cenojnë procesin hetimor. Duken si gjyqet fatkeqe të politikës, ku prezumimi i pafajësisë është shumë i largët për mendjet e tyre. Duhet të sillemi në mënyrë të matur. Nuk duhet të cenojmë atë proces hetimor, përveç se ta inkurajojmë dhe jo ta komprometojë. Aq më tepër ta sabotojë. Druaj që ka qëndrime sabotuese”, tha Shalsi në deklaratën e tij pas mbledhjes. 

Thirrja e socialistëve, Alqi Bllako dhe Armando Subashi në SPAK, për inceneratorët, deputeti Salsi tha se PS nuk bëhet mburojë për askënd që shkel ligjin.

“Ne jemi iniciuesit e Reformës në drejtësi. E kemi mbështetur pa ekuivok që në krye të herës ndërtimin e institucioneve të drejtësisë dhe kemi deklaruar që PS nuk bëhet mburojë për askënd që ka probleme me ligjin. Këtë e kemi dëshmuar me vepra, ndryshe nga kohët kur prokurorët shantazhoheshin, gjykatësit anatemoheshin nga gjuha e Sali Berishës dhe enturazhit të tij. Kemi dy kohë të pangjashme me njëra tjetrën. Kishim një kohë kur drejtësia pengohej të bënte punën e saj, dhe një kohë kur drejtësia inkurajohet të bëjë punën e saj”, tha Shalsi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›