E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Shalsi reagon ndaj Berishës: Nuk kam asnjë lidhje me ngjarjen në Kukës

TIRANË, 20 shkurt /ATSH/ Drejtuesi politik i Partisë Socialiste në Kukës, Eduard Shalsi reagoi sot ndaj një statusi të publikuar dje në rrjetet sociale nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.

“Sali Berisha, kjo rrangallë politike. I kërrusur – jo nga pesha e moshës, por nga damka e “non grata”-s; i sfilitur – jo nga betejat politike, por nga turpi me të cilin ka mbuluar veten e partinë e tij; i hallakatur mendërisht nga braktisja e atyre që dikur i kishte mbështetës; shumë i trembur nga fakti që për herë të parë në jetën e tij po përballet me drejtësinë, Sali Berisha tentoi dje të më përfshinte, duke i vendosur postimit të tij edhe një titull të neveritshëm, në një ngjarje në Kukës, me rrethanat e së cilës nuk kam asnjë lloj lidhjeje”, thekson Shalsi.

Ai shton se “është kjo gërdallë politike që shantazhoi sistemin e drejtësisë kur pushteti i tij vrau në mes të bulevardit 4 qytetarë të pafajshëm apo mori 28 jetë njerëzish në Gërdec. Është kjo gërdallë politike që ka kërkuar të mbjellë urrejtje e armiqësi mes shqiptarëve gjithmonë duke përdorur një gjuhë banale e vulgare”.

“Nuk mendoj se Sali Berisha meriton t’i përgjigjem seriozisht. Edhe në kulmin e pushtetit të tij e kam konsideruar si njeri krejtësisht të pazotin për të qeverisur Shqipërinë; të pakulturuar për të shërbyer si model për shqiptarët; të papërgatitur për të udhëhequr vendin; primitiv e tribal në sjellje e krejtësisht të paaftë për të mbajtur fjalime që do të frymëzonin njerëzit; plotësisht i zhytur në padije, gjë për të cilën nuk ka qenë kurrë i vetëdijshëm”, vijon Shalsi.

“Në finale të jetës së vet, është i dënuar të kuptojë se sa i turpshëm është fundi i tij dhe ky është makthi me të cilin duhet të mësojë të jetojë tani e sa kohë”, përfundon reagimin e tij Eduard Shalsi.

Berisha publikoi dje një mesazh nga një qytetar, sipas të cilit Shalsi “shkarkon kryetarin e PS-së, Kukës, Has dhe Tropojë”, duke shtuar se ka provokuar rrahje brenda klanit të kryetarit të Bashkisë dhe PS Kukës, Albert Halili.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›