E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shamku lë grevën, arrin në 31 numri i grevistëve të larguar



Numri i grevistëve që lënë grevën e urisë për shkak të komplikimeve me shëndetin ka arritur në 31. Vetëm ditën e djeshme e kanë lënë grevën 4 grevistë. Deputetja e Partisë Socialiste, Ledi Shamku, e ka lënë grevën e urisë në gjendje të rëndë shëndetësore në orën 13:10. Grevisti Hasan Sula, 30 vjeç, nga Tirana, e ka lënë kampin e grevistëve pas mesnatës së të mërkurës dhe është shoqëruar me autoambulancë drejt spitalit. Martin Kasaj, 27 vjeç, nga Tirana, në orën 11:20, është transportuar me urgjencë në spital në gjendje të rënduar shëndetësore si pasojë e grevës së urisë.
Në mbremje një tjetër grevist e ka braktisur grevën e urisë. Bëhet fjalë për Ymer Muratin, një 45-vjeçar nga qyteti i Tiranës. Me largimin e tij, numri i grevistëve që largohen nga tenda shkon në 31 vetë. Simptomat e tij ishin pothuajse të njëjta edhe me ato të grevistëve të tjerë, këputje, dhimbje të forta stomaku dhe luhatje tensioni.

14 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›