E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Dhuna ndaj opozitës, policët të përgjigjen përpara Drejtësisë”



Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë zhvillimit të protestës së djeshme, i ka bërë thirrje Policisë së Shtetit të mos keqpërdorë uniformën dhe të respektojë protestat paqësore të opozitës. Ai i ka bërë apel Policisë së Shtetit që të mos ngrejë dorë ndaj deputetëve dhe mbështetësve të opozitës. Rama ia ka bërë të qartë edhe njëherë kryeministrit Berisha se protesta do të vazhdojë pa u ndalur. “Berisha flet për protestën dhe thotë se respekton të drejtën kushtetuese. Ne i themi se nuk e pyet kush zotërinë tënde. Ne protestën do ta bëjmë pa u ndalur, këtu, para zyrës tënde, derisa të fitojmë transparencën. Kjo është e drejta që duhet të respektojë Berisha”, - tha Rama.
Në ditën e sotme, kreu i PS-së i ka ftuar të gjithë qytetarët në mbarë vendin të marrin pjesë në protestën e pasdites së sotme të opozitës. Sot mbushen plot 2 javë nga ngritja e çadrës së grevës së urisë.
Deklarata
Duke iu referuar përplasjeve të djeshme në qytetin e Korçës, Rama ka paralajmëruar drejtuesit e Policisë se pushtete të tilla, që vijnë duke grabitur votën, nuk e kanë jetën e gjatë. “Të gjithë, pa përjashtim, të gjithë ata që sot marrin rrogën e shtetit për t’u shërbyer qytetarëve duke garantuar ligjin, duhet ta futin mirë në mendje se historia e ka treguar se pushtete të tilla janë pushtete që bien shumë më shpejt”, - ka deklaruar Rama.
Lideri i opozitës ka hedhur kritika të ashpra ndaj ministrit të Brendshëm Lulzim Basha për këtë reagim të dhunshëm të forcave të rendit. “Unë nuk them se ministrit të Brendshëm duhet t’i vijë turp për incidentin e djeshëm me Pandeli Majkon, sepse ky ministër është shëmbëlltyra më e qartë e këtij pushteti në kërkim, që ka bërë abuzimin më të madh. Nuk ka turp më të madh”, - ka pohuar Rama. Ai ka theksuar se veprimi i policisë në bazë të interesave të qeverisë, ka bërë që kjo e fundit të mos e ketë mendjen te krimet e rënda, si ajo e nxënëses që u vra në mes të klasës. “Vritet nxënësja në klasë, vriten njerëzit me njëri-tjetrin dhe nuk ka asnjë komunikatë se çfarë ndodhi. Kjo gjë bëhet vetëm e vetëm për t’u bërë presion protestuesve të opozitës. Ky është turp”, - ka theksuar Rama.
Korrupsioni
Lideri i opozitës e ka akuzuar qeverinë edhe për afera korruptive, të cilat, sipas tij, janë konkretizuar me shitjen e hotel “Dajtit” Bankës së Shqipërisë. “Ky është një pushtet në kërkim që po rrënon ekonominë. Sot e morëm vesh të gjithë se për të hedhur ca para në arkën e shtetit, qeveria shet hotel ‘Dajtin’ te Banka e Shqipërisë ose Banka e Shqipërisë i bleu qeverisë hotelin”, - tha Rama. Sipas tij, vendi ka hyrë në një fazë degradimi që vjen si pasojë e rrënimit të ekonomisë dhe korrupsionit të lartë në radhët e qeverisë. “Kjo qeveri ka bërë që të humbasin 100 mijë vende pune, ka abuzuar me tunelin e Kalimashit, ka rritur borxhin publik, si dhe ka bërë që të bjerë fuqia blerëse. Shteti ka hyrë në një fazë degradimi pikërisht për shkak të këtij pushteti”, - u shpreh Rama.

Dokle: “Berishën të mos e gënjejë mendja se do të tërhiqemi nga kërkesa jonë”

Deputeti i Partisë Socialiste, Namik Dokle, deklaroi dje pasdite në protestën e radhës se opozita nuk tërhiqet deri në përmbushjen e plotë të kërkesave të saj. “I themi Berishës të mos e gënjejë mendja se do të tërhiqemi nga kjo luftë demokratike, nga kjo e drejtë e jona. Nuk tërhiqemi sepse kemi të drejtë, sepse beteja jonë është për të gjithë Shqipërinë. Nuk tërhiqemi, jemi të gjithë në radhë; deputetë, anëtarë të PS-së, simpatizantë e qytetarë të thjeshtë që kërkojnë t’u bashkohen grevistëve tanë”, - u shpreh Dokle.
Deputeti socialist nënvizoi se protestat do të vazhdojnë të jenë paqësore. “Ne nuk përdorim dhunë, por kemi qëndresën. Arma jonë e fuqishme është paqja, qetësia dhe rezistenca e shokëve dhe shoqeve tona”, - tha Dokle.

14 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›