Laçi, tre hapa larg... Europës
Laçi, skuadra surprizë e këtij sezoni është shumë pranë realizimit të ëndrrës më ta madhe të klubit kurbinas, atë të pjesëmarrjes historike në një kompeticion europian, pavarësisht se ndeshjet do të zhvilloheshin jo në Laç, por në një stadium tjetër e të licencuar nga UEFA. Ish-Industriali i dikurshëm: vendi i tretë, 48 pikë, do të përballet në javën e 32-të në shtëpi me Skënderbeun, që nga ana e tij ka bërë një fazë të tretë të shkëlqyer, e në kontrast të dukshëm me dy të parat, kur renditej në vendin e fundit. Skuadra e trajnerit Stavri Nica (një ndër katër teknikët që drejtojnë qysh nga fillimi i seoznit) ka synim vetëm fitoren ndaj korçarëve të superfinancuar, çka do të thoshte përfundimisht një vend në Europë, përpara se Laçi të përballej në javën e fundit në derbin me Kastriotin e rrezikuar në Krujë. Bardhezinjtë e presidentit Pashk Laska vijnë në sfidën e tretë sezonale me Skënderbeut pas triumfit 4-2 ndaj Dinamos në “Qemal Stafa”, përpara se kampionati të ndërpritej përkohësisht për t’i dhënë mundësinë zhvillimit të finales së Kupës së Shqipërisë, të fituar nga Besa e vendit të dytë, e që i hapi më shumë dyert për Laçin për të qenë skuadra e 13-të shqiptare që luan në Europë. Kapiteni Julian Brahja: “Të gjithë duan një sukses të rrallë për një skuadër si Laçi, që për herë të parë ka shansin e madh të bëjë histori”. Kjo është ndeshja e fundit e Laçit në shtëpi për këtë sezon dhe tifozeria e saj e zjarrtë pritet të jëtë “lojtari i 12-të”, e që më mbështetjen e saj ka frymëzuar jo pak lojtarët kurbinas. Bilanci flet qartë: 9 fitore, 5 barazime dhe vetëm 2 humbje, ose e përkthyer në pikë, 32 pikë nga 48 që ka grumbulluar në total (16 pikë në transfertë).
Në dy takimet sezonale më Skënderbeun, Laçi humbi në fazën e parë 4-3 në Korçë dhe barazoi 0-0 në fazën e dytë në shtëpi.
Dy ndeshjet e fundit të Martinit?
Dy ndeshjet e fundit të Vllaznisë në këtë edicion, ato kundër Apolonisë (java e 32-të, 14 maj, në Fier) dhe Teutës (java e 33-të, 19 maj, në Shkodër) mund të jenë të fundit që trajneri Edi Martini do të drejtojë jo vetëm këtë sezon. Burime nga Shkodra konfirmuan faktin, se pavarësisht presidenti Valter Fushaj nuk e pranoi dorëheqjen e Edi Martinit pas dështimit në finalen e Kupës së Shqipërisë ndaj Besës, ai nuk pritet të jetë njeriu që do të ndërtojë Vllazninë e edicionit të ardhshëm, atë 2010-2011.
Martini, i cili ia doli sezonin e kaluar t’i japë Laçit trofeun e kampionit të Kategorisë së Parë, por që nuk i drejtoi kurbinasit në Kategorinë Superiore, ndërtoi një Vllazni me mentalitet fituesi, qysh kur ai e mori në dorëzim skuadrën shkodranë në javën e 18-të, pasi më parë kishin dështuar Hasan Lika (5 javë) dhe Roland Luçi (12 javë). Vllaznia pas 31 javësh ndodhet në vendin e 6-të me 43 pikë, pesë më shumë se Apolonia e vendit të 11-të, duke mos e llogaritur fare Gramozin e rënë nga Kategoria.
Presidenti Fushaj ka vendosur një premio prej 10 mijë euro për fitoren në Fier me Apoloninë. Në dy takimet me Apoloninë, Vllaznia ka marrë katër pikë këtë sezon. Në dyshim kundër Apolonisë janë portieri Armir Grima dhe mesfushori Ndriçim Shtubina. Nga ana tjetër, mesfushori Xhejms Feniks, i pari anglez që ka luajtur në Shqipëri e për më tepër në finalen e Kupës, rinisi justifikimet e tij të panumërta, duke mos dalë në stërvitjen e radhës. Feniks, udhëtimet e të cilit drejt Anglisë kanë qenë të panumërta, u ankua se ndjente dhimbje në gju.
Murinjo: “Spanja është në planet e mia”
Trajneri i Interit e bëri deklaratën në gazetën spanjolle sportive “As”
Trajneri i Interit, Hoze Murinjo, u hedh benzinë thashethemeve të nxehta. “Është e qartë që do të hyjë në planet e mia të jem trajner në Spanjë, ashtu si do të bëhem, tani apo më vonë, trajner i Portugalisë”, - tha Murinjo për gazetën sportive spanjolle “As’. Gjithsesi, tekniku zikaltër përgënjeshtroi se kishte pasur kontakte me Real Madrid: “Unë jo. Personalisht flas vetëm me Interin, por megjithatë për të ardhmen time do të flas vetëm më 23 maj, ditën pas finales së Ligës së Kampioneve”. Sipas gazetës tjetër spanjolle “Marca”, klauzola e prishjes së kontratës së Murinjos me Interin është 16 milionë euro dhe jo 8.
MAIKON – Agjenti i brazilianit të Interit, Maikon, Antonio Kaliendo, tha se klienti i tij ndihet shumë mirë në shtëpinë zikaltër, pavarësisht se zërat e merkatos e çojnë atë drejt Realit të Madridit, nëse Murinjo do të shkonte aty. “Maikon është mirë të Interi, por futbolli më ka mësuar të mos marrë kurrë një vendim përfundimtar: topi rrotullohet”, - tha Kaliendo. “Çfarëdo vendimi që do të merret do të ishte i varur nga zgjedhjet e teknikut”. Kaliendo tha, se Trezege, një tjetër futbollist në listën e tij, ka akoma një vit kontratë me Juventusin, pavarësisht se francezi është përfolur për një kalim te Milani.
Kasano: “Isha më i keq se Baloteli”
“Baloteli? Unë në moshën e tij isha akoma edhe më i keq: një i çmendur i pandreqshëm, nuk dëgjoja askënd”. Antonio Kasano e pranon publikisht. Fantazisti i Sampdorias foli gjatë një interviste për sulmuesin zikaltër, “shokun” e tij të përjashtimit nga Kombëtarja. Kasano flet edhe për gruan që i ndryshoi jetën dhe që do të martohet, më 19 qershor. “Karolina më dhuroi ekuilibrin. Nuk kam nevojë të bëj të çmendurin, pasi kam atë. Nëse nuk do ta kisha takuar në këtë orë do të isha në birucë”.
Maradona përjashton Zanetin e Kambiason
Trajneri i Argjentinës, Diego Armando Maradona, publikoi listën provizore të 30 lojtarëve të thirrur për Botërorin e Afrikës së Jugut. Mungesa e interistëve Havier Zaneti dhe Estebian Kambiaso është edhe e “reja kryesore” të Argjentinës. Surprizë midis emrave të trajnerit Maradona janë mbrojtësit Insaurralde dhe Garce' si dhe mesfushori Blanco. Nga “italianët” janë Diego Milito, Samuel, Burdisso, Andujar, Pastore, Bolatti.
Xhon Terrin frikëson Anglinë
Kapiteni i Çelsit i qetëson të gjithë: “Do jem në finalen e Kupës së Anglisë kundër Portsmuthit”
Kapiteni i Çelsit, Xhon Terri, do të jetë në finalen e Kupës së Anglisë edhe pse ai pësoi një dëmtim në stërvitje: “Do të jem i gatshëm për finalen”, - tha Terri. Në fakt, në Angli u përjetua me frikë dëmtimi i mbrojtësit, madje u hamendësua edhe një mungesë të tij në Kampionatin Botëror të Afrikës së Jugut. Gjithsesi, skaneri që iu bë lojtari nuk evidentoi ndonjë dëmtim serioz të qendërmbrojtësit të fuqishëm, madje Terri nuk parashikohet të mungojë në ndonjë seancë përgatitore në prag të përplasjes së të shtunës kundër Portsmuthit në “Uembli”. 29-vjeçari Teri tha: “Mora një goditje të lehtë në stërvitje, por përpara një ndeshjeje aq të rëndësishme që po vjen vendose një mbrojtëse në këmbën time të djathtë dhe bërë një skanim. Skanimi tregoi se nuk kisha asnjë thyerje dhe unë shpresoj të stërvitem nesër (të enjten), nëse jo do të jem të premten, dhe sigurisht do të luaj në finalen e Kupës”.
13 Maj 2010