Shampanj, avokat i FFK për njohjen nga FIFA
Federata Kosovare e Futbollit (FFK) po shqyrton mundësinë e angazhimit të Zherom Shampanj në rolin e avokatit të saj, me synimin për të përshpejtuar procesin e pranimit nga FIFA dhe UEFA. Përpara pak kohësh, Shampanj ka punuar si drejtor i marrëdhënieve ndërkombëtare në zyrat e FIFA-s, detyrë të cilën e ka ushtruar për njëmbëdhjete vite radhazi. Ai është gjithashtu edhe një mik i ngushtë i presidentit të FFK-së, Fadil Vokrri. Ky i fundit ka deklaruar se francezi është një mik i madh i futbollit kosovar dhe vazhdimisht e ka ndihmuar atë drejt realizimit të aspiratave: pranimit si anëtar në familjen e futbollit botëror (FIFA) dhe atij kontinental (UEFA). Të vetëdijshëm se Shampanj ka lidhje të forta te FIFA, drejtuesit e federatës në Kosovë nuk e përjashtojnë mundësinë që ta punësojnë, duke i paguar një rrogë mujore, në mënyrë që njohja ndërkombëtare të përshpejtohet. Kjo, pasi pavarësisht përpjekjeve të deritanishme, procesi po ecën me hapa shumë të ngadaltë. Për “Express”, Vokrri tha: “Ai është një mik i madh i yni, i cili ka punuar në shërbim të futbollit kosovar dhe më ka premtuar se do ta shfrytëzojë çdo mundësi për të na ndihmuar”.
#