Londra konfirmon rastet fatale me grip

Për të bërë një vlerësim profesional dhe shkencor të laboratorëve të saj, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, para disa ditësh i ka dërguar 95 mostra në ritestim në laboratorët referentë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Londër.
Është fjala për mostra të rasteve të konfirmuara si pozitive në A H1N1 në Prishtinë, përfshirë këtu edhe mostrat e rasteve që kanë përfunduar me vdekje.
“Rezultatet e laboratorit referent të OBSh-së në Londër janë kthyer në Prishtinë dhe ato flasin për konfirmimin e plotë të rasteve të diagnostikuara me gripin A H1N1 që kanë pasur përfundim fatal dhe për performancën dhe kualitetin e shkëlqyeshëm të laboratorit të Qendrës Kombëtare të Gripit në diagnostikimin e Gripit A H1N1”, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Shëndetësisë.
Sipas MSH-së, ky rikonfirmim i rezultateve të IKSHP-së me ato të laboratorëve të nivelit më të lartë botëror motivon edhe më tepër punonjësit e IKSHP-së në vazhdimin e diagnostikimit kualitativ me po të njëjtin trend dhe nivel si edhe shtetet më të zhvilluara të botës duke menaxhuar situatën epidemiologjike në nivelin më të lartë profesional dhe shkencor.
Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike më 30 shtator 2009 me mbështetjen e projektit të Bankës Botërore për Pandeminë e Gripit kishin hapur Qendrën Kombëtare të Gripit në të cilën deri sot janë analizuar gjithsej 880 raste të dyshimta në grip prej të cilave janë diagnostikuar 286 raste pozitive në A (H1N1).
11 raste kanë përfunduar me vdekje (exitus letalis), derisa 49 raste janë diagnostikuar si Infleuenza A (Grip sezonal).
“Instituti Kombëtar edhe në vitin 2010 do të vazhdojë me të njëjtin ritëm përcjelljen e situatës epidemiologjike të pandemisë së gripit, por edhe në mbikëqyrjen permanente të sëmundjeve ngjitëse në Kosovë, përmes sistemit të mbikëqyrjes dhe hulumtimit aktiv epidemiologjik, duke pasur parasysh rrezikun e paraqitjes eventuale të valës së re të gripit A(H1N1)”, thuhet më tej në njoftimin e MSH-së.