Shantazh stalinist ndaj Kolegjit Zgjedhor, prej ish-bashkiakut të Tiranës
Me letër të hapur Edi Rama kërkon të mbyllë rrugën drejt pensionit politik. Edhe në vitin 2011, krejt si ati i tij shpirtëror, ai i di institucionet e drejtësisë si rripa transmisioni të Partisë së Bllokut
Nën gjurmët e Enver Hoxhës, pasardhësi dhe përfaqësuesi i brezit të “Bllokut të ri”, edhe Edi Rama e nisi dje serinë e “letrave të hapura”.
Duke risjellë në kujtesën e gjithsecilit, versionin komunist, të të bërit presion gjykatave, duke tentuar ti trajtojë si leva, edhe në këtë pikë, Edi Rama, nuk i lë gjë mangët Enver Hoxhës.
Pas një letre të hapur, të para disa ditëve, që zhurmshëm u pasua me zërat “pro” dhe “kundër”, pjesë e risjelljes në kujtesë, për analogji, ishin edhe disa letra të hapura të Enver Hoxhës, “që i drejtoheshin popullit”. Ndër këto letra, ishin letra e hapur, “kur flet kllasa-hesht burokracia!”, letra e hapur, “për heqjen e gradave”, letra e hapur “bujqësia, çështje e të gjithë popullit”, letra e hapur “ta bëjmë kursimin natyrë të dytë”, letra e hapur për “revolucionarizimin e shkollës”, letra e hapur për “rrufjanët politikë”, letra e hapur “për sabotimet në naftë”, letra e hapur “për rolin drejtues të Partisë”, letra e hapur …, etj.., etj. Nga historia, dihet, se pas secilës prej këtyre letrave të hapura, të harruara për mbi 25 vjet, kishim intelektualë të eliminuar, ushtarakë, jo vetëm të zhgraduar, por edhe të eliminuar, sikurse kishim edhe të tjerë, e të tjerë në bujqësi, arsim, naftë, të eliminuar edhe këta fizikisht.
Modeli komunist, duke mos i konsideruar gjyqtarët, por për më tepër edhe institucionin e drejtësisë, u risoll dje në vëmendjen e gjithsecilit, nga Edi Rama.
Qëllimin e kësaj letre, Edi Rama, nuk e kishte fshehur që në krye të saj, kur e niste me pyetjen “A janë këta gjykatës të vetëdijshëm për pasojat që padrejtësia në dhënien e vendimeve të atij kolegji ka mbi vendin e mbi njerëzit e këtij vendi?”.
Duke vënë në dyshim “vetëdijen” e gjyqtarëve, Edi Rama kujton “pasojat”, që sipas sistemit matës të tijin, kushtëzohen nga marrja apo jo e mandatit të bashkisë prej atij vetë.
Gjuha e përdorur në letrën e parë të hapur të Edi Ramës, që na fillimi deri në fund, nuk e fshihte kërcënimin, ku për paralelizëm, kujtonte edhe aksionet e tij dy vjeçare, post-humbjes së zgjedhjeve të qershorit 2009.
Por, po ashtu, nuk mund të mos vihej re, as dëshpërimi, midis rreshtave të asaj letre të parë të hapur të Edi Ramës…, për një çështje, tashmë të mbyllur.
Çështja është e mbyllur, sepse fati personal i Edi Ramës, tashmë është vetëm çështje ditësh, për të marrë konfirmimin zyrtar dhe nuk ka letër të hapur ta ndryshojë. Sepse çështje dite, është edhe konfirmimi, bie fjala, i Fadil Nasufit, si kryebashkiak i Beratit, të cilin edhe atë, disa vota të gjendura në kutinë e gabuar e rikonfirmuan për një tjetër mandat kryebashkiaku. Edi Rama, që bënte dje lojëra fjalësh, vetëm këtë dystandartizim, anashkalonte, ose bënte sikur nuk e kuptonte, kur me sa dukej ishte gati të sakrifikonte Fadil Nasufin, për rikonfirmimin e tij të pamundur tashmë.
Sa për atë frazën tjetër kërcënuese të Edi Ramës, sipas së cilës, “S’ka dyshim se një tjetër vulë e gabuar e Kolegjit Zgjedhor, do ta fuste Shqipërinë në një rreth kritik dhe integrimin e saj europian nën një pikëpyetje shumë të madhe. Shqipëria do të humbiste padyshim trenin e radhës për statusin e vendit kandidat për Bashkimin Europian”, kërcënimi ishte më tepër se qesharak.
Sepse në rast të një logjike të tillë, të njëjtin paralajmërim, nuk do të kursente as, bie fjala, Fadil Nasufi, në qoftë se nuk do të numëroheshin votat në kutitë e gabuara në Berat.
Por e thamë, kjo është më tepër se qesharake, sepse, edhe në dy vitet e kaluara, që Edi Rama, i ka për zemër ti përmende si kërcënim për dy vitet e ardhshme, nuk kanë munguar “paraljmërimet” të tillë, për fatin e Shqipërisë në familjen europiane...
Dhe rezultati dihet...: “Ndëshkimi” i Shqipërisë për humbjen e Edi Ramës, ishte shpërblimi i familjes europiane me liberalizmin e vizave, për shqiptarët...