Shaqiri – njeriu i vogël me gola të mëdha

Xherdan Shaqiri vazhdon të impresionojë në këtë verë. Pas paraqitjeve fantastike në Evropianin U-21 me Zvicrën, mesfushori kosovar po e vazhdon formën e mirë edhe me Baselin.
20 vjeçari ka shënuar një gol të shkëlqyeshëm nga distanca të shtunën ndaj Sionit, me të cilin kampioni aktual barazoi 3:3 në kuadër të xhiros së katërt të kampionatit zviceran. “Nëse godas në gol, atëherë diçka do të ketë aty”, deklaroi pas ndeshjes mesfushori gjilanas.
Shaqiri konsiderohet si njëri prej talenteve më të mëdhenj të Zvicrës në vitet e fundit. Ai e pret një klub të madh për të ardhmen. Manchester United, Juventus, Liverpool, Hamburg e Bayern Munich janë vetëm disa nga skuadrat që kanë shfaqur interesim për Shaqirin.
Ai mund ta lë Baselin deri në fund të afatit kalimtar të verës, por nuk përjashtohet mundësia që të mbetet në Basel edhe një sezon, për t’u përgatitur edhe më mirë për sfidat që e presin në të ardhmen në liga më të forta evropiane.