Reja lavdëron Canën
Për herë të parë, prej se ka shkuar në Lazio, Lorik Cana ka arritur ta bind trajnerin Edy Reja. Futbollisti kosovar pati paraqitje të pëlqyeshme të dielën, në miqësoren ndaj klubit grek Aris Selanik, të cilën e fituan Biancocelestët me rezultat 2:0.
Përfaqësuesi shqiptar, i cili shpesh lihej në bankën rezervë, luajti gjatë tërë ndeshjes dhe shfaqi shenja të mira.
“Cana ishte OK. Ai është një luftëtar i madh. Kur bie intensiteti i lojës, ai del në skenë dhe tregohet i shkathtë. Mendoj se është e rëndësishme që ta kuptojnë të gjithë lojtarët se kjo skuadër është e përbërë nga 20-22 lojtarë, pak a shumë të nivelit të njëjtë. Një herë luan ndonjëri, herën tjetër tjetri. Është kjo ajo që shërben për të luftuar në më shumë fronte, dy lojtarë për çdo pozitë”, deklaroi trajneri Reja.
Cana luajti në mesfushë përkrah Ledesmas në formacionin 4-2-3-1. Golat për Lazion i shënuan Rocchi e Cisse. Cana ishte transferuar gjatë kësaj vere në Lazio nga Galatasaray.