Shaqiri dhe Xhaka synojnë ta eliminojë Bayernin

Futbollistët shqiptarë, Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka synojnë ta eliminojnë nga Liga e Kampionëve, Bayern Munichun pasi e bënë një gjë të tillë me Manchester Unitedin, në fazën e grupeve.
Pa dyshim, të mërkurën mbrëma, e tërë vëmendja do të përqendrohet te Shaqiri, në duelin ndërmjet skuadrës së tij aktuale, Basel dhe asaj të ardhshme, Bayern Munich, që do të luajnë në Zvicër, në ndeshjen e parë të së tetës së finales.
Bavarezët shpenzuan më shumë se 10 milionë euro për 20-vjeçarin, të cilit ia kanë frikën se mund t’i eliminojë nga ky eveniment, njëjtë siç bëri me Manchester Unitedin, të cilin e eliminoi së bashku me shokë në fazën e grupeve.
“Dëshirojmë t’i shkaktojmë probleme Bayernit, por duhet të jemi të bashkuar dhe të punojmë si skuadër, në mënyrë perfekte njëjtë si kundër Manchester Unitedit. Njerëzit mund të mendojnë se nuk kemi shumë shanse, por ne duhet ta tregojmë veten. As kundër Unitedit nuk priste askush se ne mund t’i eliminonim”, theksoi Shaqiri për tabloidin gjerman Bild.
Ai e konsideron të veçantë ndeshjen e së mërkurës, ku thotë se do ta japë maksimumin, edhe pse nga 1 korriku do t’i bashkohet Bayernit. “Logjikisht, është ndjenjë e veçantë të luash kundër ekipit tënd të ardhshëm. Mirëpo, unë do ta demonstroj forcën time dhe do të provoj të ‘shtie’ në drejtim të klubit bavarez. Jo vetëm unë mund ta vendos ndeshjen, por të gjithë të tjerët. Shumë njerëz në Basel dhe në Zvicër në përgjithësi janë në pritje të kësaj loje”, shtoi ai.
Njëjtë si Shaqiri, edhe bashkëkombësi dhe shoku i tij i skuadrës, Granit Xhaka mendon se kampioni zviceran mund t’i shkaktojë probleme edhe Bayern Munichut, njëjtë siç bëri me gjigantin anglez, Manchester United.
“Bayerni është një skuadër që sulmon herët dhe që bën lojë agresive. Kush e mposht Manchester Unitedin, mund të bëjë një gjë të tillë edhe ndaj Bayernit. Ne po planifikojmë të udhëtojmë në Munich me një fitore, të shënuar në lojën e parë. Më pas, të shohim”, deklaroi 19-vjeçari Xhaka.
Ndeshja e parë ndërmjet Baselit dhe Bayernit zhvillohet të mërkurën në Zvicër, kurse ajo e kthimit, më 13 mars në Allianz Arena të Munichut.