Kuqi ia sheh hairin Greqisë

Njazi Kuqi e ka gjetur rehatinë në futbollin grek, pas shumë vështirësive që pati gjatë karrierës. Sulmuesi kosovar ia ka parë hairin transferimit te skuadra e Panioniosit, me të cilën po shkëlqen në Greqi.
Që prej transferimit në Panionios gjatë verës së shkuar nga klubi finlandez TPS Turku, vushtrriasi e ka rikthyer formën e dikurshme. Ai me ekipin grek ka realizuar shtatë gola në 18 ndeshje dhe është bërë njëri ndër lojtarët kryesorë të ekipit.
28 vjeçari nuk e kishe pritur një fillim të tillë, derisa shpreson të vazhdojë me të njëjtin ritëm deri në fund të sezonit. 28 vjeçari në këtë mënyrë synon të transferohet te ndonjë klub më i madh evropian.
“Jam shumë i lumtur këtu. Qëllimi im është të vazhdoj kështu deri fund të sezonit dhe ishalla nuk do të kem lëndime. Qëllimi është të transferohem në ndonjë klub më të madh”, ka thënë Kuqi për Express.
Ish sulmuesi i ekipit anglez Birmingham City tregon se pas formës së mirë nëpër të cilën po kalon, në adresë të tij kanë ardhur disa oferta nga liga të ndryshme evropiane.
“Kam disa oferta nga Greqia, Gjermania dhe Turqia. Megjithëkëtë, unë jam i koncentruar vetëm te Panionios dhe pas përfundimit të sezonit do të shohim se çfarë do të ndodhë, pasi kam kontratë edhe një vit”, theksoi Kuqi i cili preferon futbollin gjerman.
Në anën tjetër, Kuqi pas paraqitjeve të mira me Panioniosin, tashmë ka marrë dhuratën e parë. Ai është ftuar në përfaqësuesen e Finlandës, pas një pauze mbi trevjeçare, për ndeshjen miqësore ndaj Austrisë, e cila do të zhvillohet më 29 shkurt.
“Jam shumë i lumtur që jam ftuar sërish në kombëtare. Transferimin në Panionios e kam bërë me qëllim që ta rikthej formën dhe të ftohem në kombëtare dhe këtë e arrita. Tani shpresoj të më jepet rasti dhe të vazhdoj të luaj gjatë me Finlandën”, u shpreh Kuqi
Kuqi, i cili me Finlandën ka debutuar në vitin 2005, synon që me paraqitje të mira në fanellën e këtij vendi ta bind selektorin Mixu Paatelainen ta ftoj në skuadër për ndeshjet eliminatore për botërorin ‘Brazili 2014’, që do të nisin në shtator të këtij viti.
“Qëllimi im është që ta bind trajnerin të më ftojë në ekip për eliminatoret e Botërorit 2014. Tash varet se si janë planet e trajnerit dhe me cilët lojtarë do t’i nisë këto kualifikime. Megjithëkëtë, unë do ta bëj punën time”, ka deklaruar ai.
Kuqi, i cili ka zhvilluar tri ndeshje me Finlandën dhe ka realizuar tri gola, thotë se do ta japë maksimumin me skuadrën dhe përfaqësuesen në mënyrë që mos t’i lë zgjidhje tjetër selektorit Paatelainen veçse ta ftojë vazhdimisht në kombëtare.
28 vjeçari gjatë karrierës ka veshur edhe fanellën e Lahtit, Birmingham Cityt, Blackpoolit, Peterborough Unitedit, Groningenit, Carl Zeiss Jenas, Koblenzit, Dundees e TPS Turkus.