E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shaqiri ëndërron Brazilin

Xherdan Shaqiri, pasi kontribuoi në fitoret e Zvicrës ndaj Sllovenisë dhe Shqipërisë, synon që me helvetikët ta vazhdojë pozitivisht fushatën kualifikuese për Kampionatin Botëror, që do të mbahet 2014.

Mesfushori kosovar e ka pranuar se ëndërr e tij dhe e të gjithë zviceranëve është që përfaqësuesja e drejtuar nga Ottmar Hitzfeld ta presë një biletë për Brazil. “E ëndërrojmë me çdo kusht Brazilin, duke përfunduar në pozitën e parë. Jemi mjaft të fortë dhe është krijuar një atmosferë e mirë në ekip”, deklaroi Shaqiri për mediat zvicerane.

20 vjeçari ka darkuar pas ndeshjes me familjen e tij në Luzern, ku ka festuar për paraqitjen e tij ndaj Kuqezinjve. Ai insiston se biseda që kishte në ditët e fundit me selektorin e Zvicrës e ndihmoi të çlirohej, pas presionit të madh që iu bë nga shqiptarët.

“Ottmar Hitzfeld ka folur me mua pas ndeshjes me Slloveninë dhe më ka thënë se më shikon si një lojtar të madh nga një top klub. Ishte e qartë se kjo ndeshje do të ishte e veçantë dhe paksa më e ashpër. Më ka thënë se nuk duhet të bie pre e provokimeve dhe besoj që ia kam dalë mbanë”, përfundoi përfaqësuesi zviceran.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›