E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sharmi el-Sheikh… fatlumi i Egjiptit!

Nga Express më 09 shtator 2011 në ora 11:15

Ky është vendi ku izraelitët bënë pelegrinazhin e gjatë për në Tokën e Premtuar, vendi ku mendohet se Moisiu mori 10 Urdhëresat, vendi ku banorët autoktonë besojnë se pemët kanë shpirt.

Gjëja e përbashkët që Sharm el-Sheikh ka me Egjiptin është vetëm harta, pasi vendpushimi më i famshëm i Misirit të vjetër shtrihet pikërisht në pikën ku Deti i Kuq takohet me shkretëtirën e Sinait. Prej më se 2 dekadash, ky destinacion i cili duket se i përket më shumë Azisë se Afrikës, është kthyer në industrinë më fitimprurëse në rajon, falë infrastrukturës jashtëzakonisht të zhvilluar turistike e pasur me resorte, hotele ultra moderne dhe mbi të gjitha rërë, diell dhe det.

Përse të zgjedhim Sharm el Sheikh?

Nuk janë të paktat arsyet për të cilat ia vlen të vizitosh Sharm el-Sheikh. Mjafton të mbyllni sytë e ta imagjinonin veten të zhytur në një prej parajsave më të famshme nënujore në botë, me ujin e kristaltë të detit sipër jush dhe me një florë ekzotike nën këmbë ku dominojnë korale të gjithëfarëlloji. Peisazhet idilikë të shkretëtirës së pafundme dhe ujërat termalë kurues janë të tjerë elementë joshës që plotësojnë kornizën e pushimeve ideale. Duke qenë se këtu vera është ekstremisht e nxehtë muaji shtator dhe tetor është periudha ideale për t’u takuar me Detin e Kuq pasi temperatura mesatare arrin në 30°C.

Ku të shkoni në Sharm el Sheikh

Gjiri Na’ama

Ky gji i gjatë ranor ka qenë shtëpiza e hotelit të parë ngritur aty nga fillimi i viteve ‘80. Që prej asaj kohe vija bregdetare dhe i gjithë qyteti është zhvilluar në funksion të turizmit. Na’ama nuk është vetëm kryeqendra e Sharm el-Sheikh por edhe kryeqendra e hoteleve, klubeve, resoranteve, dyqaneve dhe i kafeneve ‘Sheesha’ – vende karakteristike të zonës ku mund të socializohesh me vendas e turistë teksa, sipas dëshirës, provon duhan të shijeve të ndryshme me nargjile. Na’ama njihet po ashtu për pikat e shumta të zhytjeve nënujore në të cilat përfshihet edhe Red Sea Diving College e drejtuar nga marina e Sharm el-Sheikh.

Ras Um Sid

Vetëm 5 min me makinë larg gjirit të Na’amas ndodhet kjo është një zonë e lartë shkëmbore e cila i miklon pushuesit e saj me pamje spektakolare të Detit të Kuq dhe shkëmbinjëve nënujorë. Duke qenë se hotelet në Ras Um Sid janë të gjithë të vendosur në majë që kepit shkëmbor, këshillohet që vizitorët të kenë një sens të lartë sportiv dhe mbi të gjitha most ë jenë dembelë. Kjo zonë është e famshme për koralet dhe një larmi gjallesah nënujore që deti i ruan me fanatizëm. Edhe këtu zhytja nënujore është po ashtu aktiviteti më i zakonshëm.

Sharm El Maya

Ky është emri që i është vënë qytetit të vjetër në zonën e gjirit të Sharm el-Sheikh. Ky gji piktoresk ka krijuar një port natyror dhe është po ashtu vendi ku ankorohen barkat e vogla apo jahtet. Plazhet e bukur ranor janë të mbushur me palma të cilat shërbejnë si çadra natyrale për adhuresit e diellit. Vija bregdetare e Sharm El Maya së fundmi është pasuruar me hotele me 5*, ndërsa pjesa e qyteti të vjetër ku gjallon jeta është vetëm pak minuta larg.

Deti i Kuq nuk ka vetëm Sharm el Sheikh

Taba, kështu quhet mbretëresha e re e Detit të Kuq, një prej pikave më magjepsëse të gadishullit të Sinait, e eklipsuar deri më tani nga suksesi dhe emri i Sharm el-Sheikh. Pozicionuar në brigjet e gjirit Aqaba, gati 200 km larg Sharm el-Sheikh, qyteti i vogël i Tabës po kthehet në vendpushimin më tërheqës në Egjipt, jo vetëm falë mrekullisë së Detit të Kuq por edhe falë plazheve thuajse të virgjër dhe një flore nënujore të pasur me korale. Zhytja në ujërat e Tabës të bën të admirosh nga afër tufat e peshqve ton, delfinët, breshkat e detit dhe lloje të ndryshme speciesh nënujore. Ashtu si shumë pika të tjera bregdetare në Egjipt edhe Taba është i tëri rrethuar nga shkretëtira. Qyteti është një destinacion i përsosur për ata që duan të eksplorojnë shkretëtirën e Sinait. Mund të përjetoni një përvojë unike duke kaluar natën nën qiell xixëllues të shkretëtirës ose duke bërë shëtitje me deve në një peizazh totalisht të shkretë. Hotelet dhe operatorët turistikë organizojnë një sërë ekskursionesh, mjafton të zgjidhni atë që i përshtatet më së miri kërkesave tuaja.

Çfarë të hani në Egjipt

Nuk duhet kurrsesi të largoheni nga Sharm el-Sheikh pa provuar të paktën një herë disa prej gatesave karakteristike të zonës, të cilat zor se mund t’i gjesh gjetkë apo t’i gatuash vetë.

Melokhia apo Molokhya – Është supa tradicionale egjiptiane e gatuar me një lloj barishtje që çel në verë e quajtur Molokhya. Zakonisht shoqërohet me oriz me mish ose pulë.

Orizi – është përbërësi kryesor i kuzhinës egjiptiane. Ai gatuhet në forma nga më të ndryshmet, si psh me bajame, qepë, perime dhe mish. Gjithashtu nuk mungon as japarku i cili në gjuhën vendase quhet “Warak el enab”.

Koshary – Imagjinoni të bashkoni në një pjatë të vetme makarona, oriz, thjerëza, qiqra, hudhra, qepë dhe salcë pikante. Ideja mund të tingëllojë e tmerrshme, por në fakt po flasim për pjatën më të preferuar të egjiptianëve e quajtur Koshary.

Koshary konsiderohet si një vakt i cili kushton pak dhe të ngop sa për të gjithë ditën. Ai hahet kudo dhe në çdo orë… për ta provuar e shijuar mjafton vetëm pak guxim dhe dëshirë e mirë. /shekulli/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›