E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ibseni ngelet jashtë

Ministria i jep dhe pastaj i heq një javë para organizimit, një pjesë nga mbështetja financiare Festivalit të Butrintit. Pasoja? Ibseni mbarëshqiptar del nga programi


I pari prodhim mbarëshqiptar i "Peer Gynt" të Henrik Ibsenit nuk do të shfaqet premierë në Festivalin e Butrintit, siç parashikonte programi i publikuar para një jave.


Superprodhimi 100 mijë euro vënë në skenë nga një regjisor i rëndësishëm me karrierë para dhe pas rënies së ish Jugosllavisë, Slobodan Unkovski (1948), nuk vjen për mungesë fondesh.


Drejtori i Festivalit "Butrinti 2000" tha për gazetën se janë shtrënguar të heqin "Peer Gynt" pasi papritur Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve që e mbështet festivalin që prej fillimit, ka vendosur brenda javës shkurtimin e fondeve.


"Sapo jemi njoftuar se ministria na heq 2 milionë nga mbështetja financiare që ishte premtuar. Na vjen keq që lajmi na vjen në një kohë kur ne i kemi konfirmimet e trupave dhe programin gjithashtu."


Pse pikërisht "Peer Gynt"? Kjo pyetje duket e kotë. Programi sugjeron vepra të repertorit botërorë dhe e njëjta pyetje do të shtrohej për secilën që mund të mbetej jashtë programit të Butrintit. Ndoshta është marrë si një mirëkuptim i heshtur meqë "jemi tanët".


"Peer Gynt" u realizua nga Teatri i Dramës Shqipe të Shkupit, pasi aktori i këtij teatri, bajrush mjaku futoi në vitin 2009 nga "Ibsen Award" në Norvegji mbështetjen për ta zhvilluar projektin "Peer Gynt by Henrik Ibsen - first time in Albanian language" në nivel rajonal.


Nismës me kosto financiare 100 mijë euro, iu bashkuan Teatri Kombëtar i Kosovës me ndihmën 25 mijë euro, ministria e Kulturës në Maqedoni, thuhet dhe ministria shqiptare e Kulturës, por nuk është e konfirmuar.


Regjia iu besua Unkovskit (1948), profesor i regjisë së teatrit në Fakultetin e Artit Dramatik në Shkup, me karrierë ndërkombëtare në skenat e Ballkanit Rusisë, Italisë, Gjermanisë dhe Suedisë.


Hera e dytë që ai vinte në skenë "Peer Gynt" (1867), bashkëpuntor i rregullt me Teatrin e Dramës Shqipe të Shkupit dhe me aktorë shqiptarë. Në vitin 2008 pamë në Tiranë, një propozim shumë të mirë tijin të "Xhaxha Vanjës" së Çehovit me aktorë shqiptarë nga tre shtete.


Te "Peer Gynt" punoi me aktorët Vjosa Abazi, Vlora Nikci, Albulena Kryeziu, Flutura Zymi, Adrian Morina, Bekim Guri Besart Zeneli, e Flutura Basha nga Kosova, me Bajrush Mjaku, Xhevdet Jashari, Mirsad Iseni, Fisnik Zeqiri, Blerim Dardhishta, Visar Etemi, Beqir Nuredini, Armenis Nokshiqi, Mirlinda Saiti dhe Zarije Jonuzi nga Maqedonia dhe nga Shqipëria Yllka Mujo. Skenografia është realizuar nga Miodrag Tabacki (Serbi), koreografia nga Gjergj Prevazi (Shqipëri) dhe kostumet nga Aleksandar Nospal (Maqedoni). Më 23 korrik ata prezantohen në Festivalin "Vera e Ohrit".


Më sipër thuhet se Festivalit të Butrintit "iu premtua" nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, 9.000.000 lekë. Tani 2 milionë më pak.


Shtrëngesat financiare, anulimet dhe spostimet e aktiviteteve që vijnë nga premtimet janë tregues i një mënyre të mbrapshtë të punuari me projektet që ndjek Ministria e Kulturës.


Si asnjëherë tjetër, këtë vit u vonua mbledhja e Bordit miratues të projekteve artistike që aplikojnë për mbështetje financiare nga fondet publike që administrohen nga MTKRS.


Ata pak specialistë me përvojë që i kanë mbetur ministrisë thonë se është e vështirë të mbledhësh në bord personalitete të artit dhe kulturës që të mos kenë konflikte interesi, pra të mos jenë pjesë e ndonjë shoqate që aplikon për para apo mos jenë "të premtuar për ndonjë copë" në projektet ku firmosin. Bordet përbëhen nga aktorë, piktorë, muzikantë, shkrimtarë që diku duhet ngjërojnë dhe ata.


Mënyra se si funksionon bordi pasqyron mënyrën e ministrit dhe ministrisë vetë.
Është korrik dhe MTKRS nuk ka bërë publike projektet fituese për vitin 2010. Në faqen zyrtare ora ka ngelur në vitin 2008-2009.


Ka jo pak artistë që aplikojnë, fitojnë të drejtën për t'u mbështetur nga ministria, dhe pastaj zhgënjehen.


Marrëveshjet që lidhin me institucionin janë surrogato me të cilat askush nuk do mundej të bënte një denoncim të administratës shtetërore për mashtrim apo grabitje të fondit të premtuar.


Mbështetja financiare vjen disa muaj pas zhvillimit të projektit dhe as sa gjysma e vlerës së kërkuar.
Kanë frikë të denoncojnë në shtyp, kanë frikë se mos hakmerren dhe ato para nuk i marrin kurrë.

Festivali


Festivali Ndërkombëtar i Teatrit "Butrinti 2000" mbahet më 17-23 korrik. Është edicioni i njëmbëdhjetë. Në program janë Teatri Shtetëror "Vera Komissarzhevskaya" i Shën Pjetërburgut me "Ëndrra e një nate vere" të Shekspirit, regjisor Alexander Morfov. "Teatri Nikoli" nga Krakovi me "Nata Shopeniane" e regjisorit Nikolai Veprev.


Muzikali "Romeo dhe Zhuljeta" Shekspirit nga Teatri Kombëtar i Operetës "Ion Dacian" i Bukureshtit në bashkëpunim me Teatrin e Operetës dhe Muzikës së Budapest, me regji të Miklos Gabor Kerenyi.


Nga Rumania e cila përfaqësohet me Teatrin Kombëtar "Radu Stanca" të Sibiut paraqitet "Elektra", regjisor Mihai Maniutiu.
Natën e fundit shfaqet "Elektra" e Teatrit Kombëtar Shqiptar me regji të Adonis Filipit.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›