E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shau policin rrugor, vihet në pranga

Autori i Lajmit: Redaksia

Toni i ashpër dhe kërcënimet ndaj punonjësit të policisë rrugore, i kanë kushtuar një 22-vjeçari nga kryeqyteti arrestimin dhe nisjen e ndjekjes penale ndaj tij. Lajmi bëhet i ditur nga policia e Tiranës, sipas të cilës, Rades Musa ka fyer dhe kërcënuar verbalisht një punonjës të policisë rrugore. Ngjarja ka ndodhur në rrugën, “Sami Frashëri” dhe arrestimi i 22-vjeçarit është bërë nga specialistët e seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit. Sipas njoftimit të policisë, i riu është irrituar nga polici rrugor, pasi ky i fundit i ka kërkuar dokumentet dhe e ka ndëshkuar me një gjobë, pasi kishte gjoba të papaguara. Kjo ka mjaftuar që 22-vjeçari ti hakërrehet dhe ta kërcënojë punonjësin e policisë, i cili ka raportuar në radio në lidhje me ngjarjen. Më pas, është bërë dhe ndjekja dhe arrestimi i Musës nën akuzën e fyerjes dhe kërcënimit të punonjësit të policisë në krye të detyrës.
Ky lajm është publikuar: 09/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›