Përse na rrezikohet liberalizimi i vizaveNga Tema Bosnja dhe Shqipëria rrezikojnë të mos përfitojnë nga liberalizimi i vizave deri në fund të vitit, ndryshe nga sa ishte premtuar më parë se në korrik të këtij viti do jetë e mundur lëvizja p
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Përse na rrezikohet liberalizimi i vizaveNga TemaBosnja dhe Shqipëria rrezikojnë të mos përfitojnë nga liberalizimi i vizave deri në fund të vitit, ndryshe nga sa ishte premtuar më parë se në korrik të këtij viti do jetë e mundur lëvizja pa viza. Në një letër të dërguar para pak ditësh zyrtarëve të lartë të BE, drejtuesi i Iniciativës Europiane për Stabilitet (ESI), Gerald Knaus, dhe drejtoresha e Projektit për Listën e Bardhë pranë ESI, Alexandra Stiglmayer, shprehin shqetësim se BE po e lë pas dorë këtë problem për mungesë të vullnetit politik. Gjithashtu ata ngrenë shqetësimin se çështje jo-teknike mund të ndikojnë në zvarritjen e liberalizimit të vizave. Këto lajme të këqija mbërrijnë në një moment kur është bërë shqetësues fluksi i shqiptarëve nga Maqedonia, por edhe nga jugu i Serbisë, që kanë udhëtuar pa viza drejt vendeve të BE, por që nuk duan të kthehen më në vendet e tyre. Madje në Maqedoni u përfol se ekziston mundësia që regjimi i vizave të rikthehet. Ky problem duket të jetë më i madh në Shqipëri, pasi një sondazh i Gallup sugjeron që ne jemi vendi me prirjet më të larta në rajon për të emigruar. Duhet theksuar se në vendet që kanë përfituar viza, janë shqiptarët ata që duan të emigrojnë për të mos u kthyer më. Më poshtë është letra e plotë e Knaus dhe Stiglmayer për drejtuesit e lartë të BE.
Ishte një lajm shumë i mirë për Ballkanin Perëndimor, ashtu dhe për politikën e BE të kushtëzimit në rajon, kur Bashkimi Europian vendosi të heqë vizat për Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë në nëntor 2009. Ishte gjithashtu e rëndësishme dhe inkurajuese që në të njëjtën kohë të lëshohej një deklaratë politike nga Këshilli dhe Parlamenti Europian me premtime konkrete për qytetarët e të dy vendeve që nuk mundën të përfitojnë nga udhëtimi pa viza, për Shqipërinë dhe Bosnjen:
“Parlamenti Europian dhe Këshilli shpresojnë se Shqipëria dhe Bosnja do të kualifikohen shpejt për liberalizimin e vizave. Për këtë arsye, Parlamenti Europian dhe Këshilli u bëjnë thirrje këtyre dy vendeve që të bëjnë të gjitha përpjekjet për të plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara në planin e përcaktuar nga Komisioni. Parlamenti Europian dhe Këshilli ftojnë Komisionin të paraqesë një propozim legjislativ për të amenduar rregulloren 539/2001 në momentin që çdo vend të plotësojë kushtet e vendosura në planin e Komisionit, në mënyrë që qytetarët e këtyre vendeve të përfitojnë lëvizje pa viza sa më shpejt të jetë e mundur. Parlamenti Europian dhe Këshilli do të shqyrtojnë propozimin për amendimin e rregullores 539/2001 sa i përket Shqipërisë dhe Bosnjës si një çështje urgjente.”
Në dritën e këtij premtimi, që i referohet në mënyrë të qartë liberalizimit të vizave më këto dy vende si një “çështje urgjente”, që duhet të adresohet “sa më shpejt të jetë e mundur”, është alarmues fakti që afatet e Komisionit Europian përjashtojnë mundësinë e lëvizjes pa viza të Bosnjes dhe Shqipërisë përpara verës, edhe në rast se të dy vendet do të plotësonin kushtet sot.
Kjo është e kundërta e dekalaratës së lëshuar nga Këshilli dhe Parlamenti Europian. Kur kjo deklaratë u negociua, koha e shënjestruar ishte korriku 2010.
Afatet tregojnë se kur bëhet fjala për “urgjencë”, aplikohen standarde dyfishe në vende të ndryshme të Ballkanit. Por çka është më e rëndësishme, nuk ka asnjë arsye të fortë për këtë shtyrje, përveç mungesës së vullnetit politik.
Sot, misioni i fundit vlerësues me ekspertë të Komisionit dhe vendeve anëtare, do të përfundojë shqyrtimin e situatës në terren në Shqipëri. Kjo do të thotë që në mbrëmje, të gjashtë misionet e parashikuara do të ketë përfunduar punën e tyre. Në të dyja vendet, misionet kanë shqyrtuar dokumentet e sigurisë, kontrollin e kufijve dhe menaxhimin e emigracionit si dhe rendin publik e çështjet e sigurisë.
Megjithatë, gjatë nëj diskutimi të Komisionit që merret me këto çështje pranë Parlamentit Europian, më 23 shkurt 2010, Komisioni deklaroi se nuk do paraqesë vlerësimet përfundimtare përpara mesit të prillit. Një mesazh i ngjashëm është dërguar nga Komisioni edhe gjatë një takimi në Sarajevë më 24 shkurt 2010.
Pasojat e kësaj janë të dukshme. Takimi i fundit i Ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë nën Presidencën Spanjolle është parashikuar për 3 dhe 4 qershor 2010. Edhe nëse vlerësimet do të tregonin se Bosnja dhe Shqipëria janë gati për të udhëtuar pa viza, koha nga mesi i prillit, kur Komisioni parashikon të bëjë vlerësimet, dhe takimit të Këshillit më 3-4 qershor është 6 deri në 7 javë, e pamjaftueshme për Komisionin që të hartojë, të konsultojë dhe të miratojë propozimin ligjor, dhe për Parlamentin Europian të bëjë pjesën e tij të punës sipas procedurës së bashkëpërcaktuar. Kjo do të thotë që Këshilli i qershorit nuk do arrihet.
Kështu që procesi vendimmarrës do të vijojë pas verës. Mbledhja e parë e Këshillit të Ministrave të Brendshëm dhe Drejtësisë do të jetë nën presidencën belge më 7/8 tetor 2010. Nëse atëherë do të merret vendimi, do të hyjë në fuqi më e pakta 20 ditë më vonë, pas publikimit në Fletoren Zyrtare të BE. Kështu, edhe nëse Bosnja dhe Shqipëria do të plotësonin kushtet që sot, qytetarët e tyre nuk do ishin në gjendje të udhëtojnë pa viza përpara fundit të tetorit 2010.
Kjo do të thotë një vit që nga koha e deklaratës politike të Këshillit dhe Parlamentit. Nëj vit nuk është “sa më shpejt të jetë e mundur”. Të dyja, si Këshilli, ashtu dhe Parlamenti, nuk do të mbajnë premtimet e dhëna për popullin e Shqipërisë dhe Bosnjes.
Një vit pritje është shumë për një qeveri si ajo e Bosnjes që ka bërë përpjekje titanike për të plotësuar të gjitha kushtet e BE dhe ka arritur një sukses të dukshëm.
E njëjta gjë vlen dhe për qeverinë shqiptare, e cila ka bërë kërcim të dukshëm nga viti i kaluar.
Më e rëndësishmja, një vit është një kohë e gjatë për qytetarët që kanë pritur me padurim që të jenë në gjendje që të udhëtojnë lirisht.
ESI ka mbështetur procesin e liberalizimit të vizave për Ballkanin Perëndimor, si një proces të bazuar në principin “strikt, por ndershmërisht”. Edhe pse është dhënë premtimi për heqjen e vizave sa më shpejt të jetë e mundur, sërish duket se ka një vonesë të panevojshme. Kjo është e pandershme për njerëzit e këtyre vendeve.
Për fat të mirë, ka akoma edhe një alternative për të mos thyer këtë premtim. Shtetet anëtarë që kanë ekspertë në misionet vlerësuese duhet të mundësojnë që raportet e tyre të shkojnë sa më shpejt në Komision, mundësisht brenda dy javësh.
Komisioni mund të paraqesë vlerësimet përfundimtare në fund të marsit, përpara Pashkëve. Kjo do të mundësonte përgatitjen e propozimit ligjor deri në mes të prillit. Parlamenti dhe Këshilli do e trajtonin çështjen me përparësi dhe urgjencë, sipas angazhimeve të tyre. Ne besojmë se kështu duhet të ecin gjërat.
Në momentin që vlerësimet të jenë në tavolinë, është e rëndësishme që të dy vendet të vlerësohen në bazë të kritereve të përcaktuara.
Ndryshe nga disa ide të qarkulluara në korridoret e Brukselit, do ishte thellësisht e pandershme që çështje jo-teknike, që nuk kanë lidhje me kriteret e përcaktuara, të ndikonin ën faktin nëse dhe kur qytetarët e Bosnjes dhe Shqipërisë do lëvizin si fqinjët e tyre.
Kjo do të thotë konkretisht se çështje si data e zgjedhjeve në Bosnje dhe kriza aktuale politike në Shqipëri, nuk duhet të përdoren si motiv për të trajtuar në mënyrë të pandershme të dy vendet.
Përshtypja se disa vende në rajon favorizohen dhe të tjera trajtohen si një çështje urgjencash të mëdha apo të vogla, nuk duhet të fitojë terren mes banorëve të Ballkanit.