Shefer Bashës: Në samitin e ardhshëm, Shqipëria, anëtare e plotë e NATO-s

Ministri i Punëve të Jashtme Lulzim Basha merr garanci në Bruksel nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer për përfundimin e procesit të ratifikimit të Protokollit të anëtarësimit, para samitit jubilar të aleancës Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Lulzim Basha i cili ndodhet në Bruksel, u prit dje në një takim zyrtar nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer. Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë biseduan për procesin e anëtarësimit në NATO, zhvillimet në Shqipëri dhe në rajon. Lidhur me proceset e rëndësishme që presin vendin tonë, Scheffer e vlerësoi shumë pozitivisht ritmin me të cilin po nënshkruhen protokollet e anëtarësimit të NATO-s për Shqipërinë, nga vendet anëtarë të Aleancës, duke u shprehur i bindur se në samitin e ardhshëm të qershorit 2009 në Strasburg do të arrihet anëtarësimi i plotë i Shqipërisë në NATO. Situata politike në Shqipëri e rajon iu përcoll Scheffer nga kreu i diplomacisë shqiptare, Lulzim Basha. Ministri Basha e informoi Scheffer për progresin e reformat që po bën Shqipëria, për klimën konsensuale politike, veçanërisht në rastin e miratimit të kodit të ri zgjedhor, një reformë kjo e rëndësishme për proceset integruese të Shqipërisë. Nga ana e tij Scheffer i vlerësoi si shumë të rëndësishme dhe pozitive këto zhvillime në Shqipëri, si një garanci për stabilitetin politik e atë rajonal. Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, tha se NATO mbështetet te Shqipëria dhe roli i saj kontribuues për stabilitetin rajonal. Me mjaft rëndësi ishte dhe trajtimi i çështjes së Kosovë, rreth së cilës Basha konfirmoi dhe njëherë qëndrimin e Tiranës zyrtare, në mbështetje të plotë të autoriteteve shtetërore të Prishtinës. Kreu i diplomacisë shqiptare deklaroi se qeveria shqiptare mbështet vendosjen sa më të shpejtë të misionit të EULEX-it në të gjithë territorin e vendit, në përputhje me kushtetutën e ligjet e Kosovës, siç parashikon paketa Ahtisari. Tjetër çështje që Basha dhe Scheffer biseduan ishte dhe stabiliteti rajonal dhe zhvillimeve në vendet fqinje ku u theksua edhe një herë roli konstruktiv i Shqipërisë si një shtyllë e stabilitetit në Evropën Juglindore. Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, diskutuan dhe çështje të tjera të rëndësishme që preokupojnë aleancën, si dhe parapërgatitjet për mbledhjen e ministerialit të Ministrave të Jashtëm të Shqipërisë, Kroacisë dhe NATO-s, që mbahet muajin e ardhshëm në Bruksel....