Prokuroria shqiptare gjueti antiligjore ndaj deputetit Basha
Prokuroria shqiptare është hedhur në një gjueti antiligjore ndaj Ministrit të Jashtëm Luzim Basha. Dëshmia më e fundit është flet-thirrja e saj ndaj ministrit, ndërkohë që gjykata e Shkallës së Parë e Tiranës, i kishte dhënë një shuplakë inercisë së prokurorisë për të vazhduar pambarimisht me shkeljen ligjit. Pas tentativës së dështuar të prokurorisë për të zgjatur pafundësisht hetimet për këtë rrugë, Prokuroria kaloi në ekstremin tjetër, duke injoruar gjykatën dhe duke tentuar vazhdimin e hetimeve me kokëfortësinë e antiligjit. Zvarritja e hetimeve për çështjen e dosjes së rrugës Durrës-Kukës, është një histori më vete, që vazhdon prej rreth dy vjetësh. Përpos qëllimit të prokurorisë për të zvarritur këto hetime, disa ditë më parë, gjykata e Tiranës pranoi kërkesën e dy të pandehurve që ishin nën hetim për këtë çështje, Armand Teliti dhe Andi Toma. Ata pretendonin se shtyrja më e fundit, e përsëritur, me një muaj e afateve nga prokuroria ishte e panevojshëm pasi ka më shumë se dy vjet që hetohet për këtë çështje dhe kërkuan që dosja hetimore t’i kalojë gjykatës. Pas ankesës së Telitit dhe Tomës, disa ditë më parë, Gjykata e Shkallës së Parë e Tiranës urdhëroi Prokurorinë e Përgjithshme të Tiranës që të mbyllë hetimet ndaj të akuzuarve për rrugën Durrës-Kukës dhe dërgimin e dosjes për gjykim në gjykatë. Trupi gjykues e cilësoi të drejtë kërkesën e Armand Telitit ish-zëvendësministrit të Transporteve dhe Andi Tomës ish-drejtorit juridik në këtë ministri. Teliti dhe Toma kishin kërkuar shfuqizimin e një urdhri të Prokurorisë, sipas të cilit hetimet për rrugën do të zgjateshin edhe një muaj nga 6 nëntori në 6 dhjetor të këtij viti. Përveç kësaj veprimet hetimore që janë kryer nga 6 nëntori e deri tani konsiderohen të pavlefshme për në gjykatë. Këtë nuk e kapërdin Prokuroria e Përgjithshme, e cila në vazhdën e gjuetisë së saj antiligjore, injoron vendimin e gjykatës dhe lëshon një fletëthirrje të tipit të një letre bakalli, ku guxon, që ta quajë Ministrin Lulzim Basha të pandehur, në kushte kur ai ka vetëm statusin e personit nën hetim. Jo vetëm kaq, por nëpërmjet asaj flet-thirrje, Prokuroria në qëllimin e saj për të shkelur ligjin dhe Kushtetutën, e paralajmëron ministrin Basha so do të merret në pyetje. Kësaj i thonë që vendimi i gjykatës që nuk ia lejon një gjë të tillë, të jetë marrë sa për t’u arkivuar, sepse Ina Rama dhe Arben Kaja, nuk duan t’ia dinë dhe e shpërfillin atë vendim. Kjo sjellje bie ndesh me deklaratat publike të Ina Ramës. Vetëm disa ditë më parë, Ina Rama Prokurorja e Përgjithshme ka pranuar dhe pohuar pezullimin e hetimeve për dosjen e rrugës Durrës-Kukës, e imponuar nga vendimi më i fundit i Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës. Kryeprokurorja ka pohuar se megjithëse po zbatohet vendim i dhënë nga gjykata e Shkallës së Parë e Tiranës, pak ditë më parë, çështja është ankimuar në Gjykatën e Apelit. Përpos këtij premtimi publik, Ina Rama, harron dhe bënë zgjedhjen tjetër, atë të antiligjit, duke injoruar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës. ...