Shefi i BQE-së, akuzë për konflikt interesash
Draghi është në krye të një grupi lobistësh të bankierëve elitarë
Ombudsmani i Bashkimit Europian ka nisur një hetim ndaj një konflikti të mundshëm interesi të shefit të Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi, për shkak të anëtarësimit të tij në një klub të bankierëve më të fuqishëm të botës që quhet grupi i të 30-ave
Ne kemi marrë një ankesë dhe kemi dërguar në bazë të saj një letër në Bankën Qendrore Europiane dhe aktualisht jemi në pritje të përgjigjes, ka deklaruar një zëdhënës i Ombudsmanit të BE-së, Nikiforos Diamanduros. Banka Qendrore Europiane ka konfirmuar ndërkohë se ka marrë një kërkesë nga Ombudsmani dhe se do të kthejë përgjigje në kohën e duhur, ndërkohë që e ka refuzuar pretendimin se anëtarësimi i Draghi-t në klubin ekskluziv bie ndesh me etikën e kodit të bankës. Ankesa është bërë një muaj më parë nga Observatori i Korporatës Europiane, një grup transparence me bazë në Bruksel, që e ka kritikuar anëtarësimin e Draghi-t në një grup lobimi bankar, qëllimi i të cilit është influencimi në debatin për rregullimin e sektorit financiar. Natyra e këtij grupi dhe e aktiviteteve të tij nuk është transparente. Publiku nuk ka asnjë mënyrë për tu njohur me detaje të përfshirjes në këtë grup nga ana e presidentit të Bankës Qendrore Europiane, duke qenë se takimi i anëtarëve të tij është konfidencial. Informacioni në lidhje me gjithçka që organizon ky grup dhe linjat e veprimeve të tij nuk janë të aksesueshme për publikun, deklarohet në ankesën që është bërë. Në këndvështrimin tonë, duke pasur parasysh sa më sipër, grupi ka karakteristikat e një vegle lobimi për interesa private financiare. Është një lidhje e rëndësishme mes sektorit bankar privat dhe bankave qendrore që i jep mundësinë disa prej bankave private dhe qendrore që të ushtrojnë influencë direkte ndaj krerëve të lartë të bankave më të mëdha qendrore, përfshi edhe shefin e Bankës Qendrore Europiane. Ne besojmë se çdo president i Bankës Qendrore Europiane duhet që të qartësojë tërësisht faktin se ai, ose ajo, nuk është në ndikimin e një lobi financiar gjatë kohës që është në detyrë dhe duhet që të sigurojë se nuk është i lidhur me asnjë forum apo proces që mund të vërë në rrezik pavarësinë e tij apo tu hapë rrugë konflikteve të interesit. Ndërkohë që Banka Qendrore Europiane kërkon që të ketë në të ardhmen pushtete më të mëdha në dorën e saj ndaj bankave të reja të Eurozonës, pavarësia nga sektori bankar është duke u shndërruar në një çështje me shumë rëndësi. Draghi u vu në qendër të vëmendjes menjëherë pas ardhjes në detyrën e shefit të BQE-së për të kaluarën si menaxher në bankën amerikane të investimeve Goldman Sachs, në të cilën merrej me mbikëqyrjen e operacioneve të ndryshme, mes të cilave edhe marrëdhënieve me Greqinë dhe madje ka pasur informacion se çfarë po ndodhte në atë vend që prej shumë kohësh. Më pas në vitin 2010, deficiti u bë shumë i madh për Greqinë dhe ai ishte vendi i parë që shpalli vështirësi të mëdha financiare ndër vendet e Eurozonës duke filluar kështu edhe krizën e madhe dhe të rëndë të euros e cila, po përshkallëzohet edhe sot, përditë e më tepër. Edhe agjencia e lajmeve financiare Bloomberg ka nisur një çështje gjyqësore në Gjykatën e BE-së në Luksemburg kundër Bankës Qendrore Europiane në lidhje me refuzimin që kjo i ka bërë publikimit të dokumenteve të ndryshme që kanë të bëjnë me operacionet e bankës Goldman Sachs. Në seancën e qershorit në lidhje me akuzën, BQE deklaroi se kishte vendosur që të mos i publikonte dokumentet në vitin 2010, duke qenë se kjo mund të kishte çuar në paragjykime për Greqinë. Sipas avokatit të Bloomberg, tregjet do të kishin performancë më të mirë nëse do të kishte më shumë transparencë.
Shefi i BQE-së, akuzë për konflikt interesash burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip