Shefi i ekzekutivit i Ducati-t fajëson Mark Markezin: Vetëbesim i tepruar!

Drejtori ekzekutiv dhe presidenti i Ducati-t, Klaudio Domenikali, ishte i pranishëm në boksin e ekipit të tij në Herez për Çmimin e Madh të MotoGP-së së Spanjës ku ndoqi nga afër garën perfekte të Aleks Markez dhe dështimin e Peko Banjai si dhe daljen nga pista të Mark Markez.
Italiani ishte i lumtur pasi Ducati në Herez mori fitoren e 22-të radhazi në Botëror duke barazuar kështu rekordin e vendosur nga Honda vite më parë. “Jam shumë i lumtur pasi është fryt i një pune të madhe. Kemi bërë hapa përpara pasi kemi ndërtuar një motorr solid dhe kemi afruar pilotë shumë të mirë”, komentoi Domenikali.
I pyetur konkretisht për garën e Mark Markezit, i cili doli jashtë piste, Domenikali pranoi se: “Mark është i jashtëzakonshëm, ai po nget shumë mirë motorrin. Herë pas here, ai bën ndonjë gabim të vogël për shkak të vetëbesimit të tepërt. Por ai po tregon se e ka motorin nën kontroll. Le të themi vetëm se, herë pas here, mund të ndodhë një gabim. Le të shpresojmë që ai të jetë mirë për një kohë”.