E Diel, 1 Nëntor 2026

Shefi i ri i Shtabit të Përgjithshëm të FA të Shqipërisë bën betimin para Presidentit të Republikës

8 gusht 2011

Shefi i ri i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Gjeneral Brigade, Xhemal Gjunkshi, bëri sot betimin para Presidentit të Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, njëkohësisht edhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura shqiptare.

Në ceremoninë solemne të zhvilluar me këtë rast në mjediset e Presidencës ishin të pranishëm ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Major, Maksim Malaj dhe drejtues të tjerë të lartë të ushtrisë shqiptare. Pas ekzekutimit të himnit kombëtar, Sekretari i Përgjithshëm i Institucionit të Presidentit lexoi dekretin presidencial dhe formulën e betimit. Pas betimit, Kryetari i Shtetit shqiptar i dorëzoi Gjeneral Brigade, Xhemal Gjunkshit dekretin e emërimit të tij në detyrën e rëndësishme në krye të Forcave të Armatosura.

Në përfundim të ceremonisë, Presidenti Topi zhvilloi një takim me Shefin e ri të Shtabit të Përgjithshëm të FA të Shqipërisë, Gjeneral Brigade, Xhemal Gjunkshi si dhe paraardhësin e tij, Gjeneral Major, Maksim Malaj. Presidenti i Republikës shprehu vlerësimin për karrierën e rëndësishme të z. Gjunkshi, duke e cilësuar atë si një personalitet të ushtrisë shqiptare, që vërtet e meriton plotësisht të jetë në këtë pozicion shumë të rëndësishëm të Shefit të Shtabit të FA të Republikës së Shqipërisë. Gjithashtu, Kryetari i Shtetit shqiptar falënderoi zotin Malaj për të gjithë kontributin e tij në pozicionin e Shefit të Shtabit të Forcave të Armatosura “në një periudhë e cila është shënuar me gërma të arta në historinë e Shqipërisë e ushtrisë shqiptare, në periudhën kur Shqipëria u bë anëtare e Aleancës më të madhe të paqes dhe sigurisë në botë, të NATO-s, në një periudhë kur ushtria shqiptare ka bërë një progres të jashtëzakonshëm dhe është drejtuar në një mënyrë profesionale.” “Ajo ka qenë pjesëmarrëse në misione të rëndësishme ndërkombëtare përkrahë aleatëve tanë më të mëdhenj dhe padyshim ka arritur dimensionet e veta duke u rritur profesionalisht. Ne sot krenohemi vërtet me Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, - u shpreh Presidenti Topi.

Edhe një herë në këtë takim, Presidenti i Republikës i uroi suksese Shefit të ri të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave tona të Armatosura duke vënë në dukje dhe bindjen e tij se z. Gjunkshi do të çojë përpara të gjitha arritjet që janë bërë në kuadrin e reformimit të FA.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›