Shefja e BB i sugjeron qeverisë së re nisjen e bashkëpunimit me FMN-në: Rritja ekonomike është e dobët
Shefja e zyrës së Bankës Botërore në Tirana, Kseniya Lvovsky ka deklaruar se rritja ekonomike e Shqipërisë për vitin 2013 ka qenë e dobët.
Ky ishte një vit i vështirë për ekonominë e vendit si pasojë e ndikimit të krizës së zgjatur në eurozonë. Ndikimet e krizës dhe recesioni janë ndjerë më shumë se më përpara. Shqipëria ka pasur probleme me huatë si dhe në sektorin privat. Një numër problemesh në sektorin e energjetikës e kanë përkeqësuar presionin fiskal dhe ekonomik, por vlerësimi duhet të shihet në kontekstin e gjithë rajonit. Rritja ekonomike e Shqipërisë ka qenë e dobët, por ka ecur më mirë sesa vendet e tjera fqinje, u shpreh shefja e BB.
Ndërsa i cilësoi zgjedhjet si historike, shefja e Bankës Botërore listoi 3 fusha në të cilat duhet të punojë qeveria e re për të bërë të mundur një Shqipëri europiane.
E para, do të jetë me rëndësi që të rritet besueshmëria tek institucionet publike, kjo përfshin transparencën, pavarësinë e institucioneve, shtetin ligjor dhe zbatimin e shtetit ligjor në mënyrë të padiskriminuar. Ka shumë mundësi që Shqipëria të ketë një administratë profesionale dhe të depolitizuar. Mbajtja e personave profesionistë do të jetë një test për qeverinë e re për të bërë të mundur integrimin në Bashkimin Europian.
E dyta, vazhdimi dhe përshpejtimi i reformave strukturore. Kjo është shumë e rëndësishme dhe bëhet e tillë në këtë kohë krize që ka përfshirë Europën. Do të jetë mirë të vijohet me përshpejtimin e reformave dhe të përshpejtohet zbatimi i tyre si për asistencën sociale, inspektimet, procedurat e kontabilitetit. Në disa fusha reformat duhet zgjeruar dhe një nga sektorët është sektori energjetik dhe ai i pushtetit vendor. E treta, konsolidimi fiskal dhe pagesat e prapambetura. Është shumë e rëndësishme që të paguhen të gjitha faturat e sektorit privat dhe pavarësisht sesa ambicioze është qeveria, nuk ka hapësira për investime të rëndësishme të reja. Pra, duhet të ketë një program për të ndërtuar gradualisht hapësirën fiskale, tha shefja e Bankës Botërore.
Shefja e Bankës Botërore gjithashtu këshilloi qeverinë e re që të bëjë një selektim strategjik të reformave duke u përqendruar vetëm tek ato që kanë përparësi për vendin.
Gjithashtu ajo theksoi se ngritja e një këshilli fiskal dhe rifillimi i bashkëpunimit me FMN-në nga ana e qeverisë së re do ta ndihmojë Shqipërinë të rimarrë një zhvillim të qëndrueshëm./ep