Avokati i Berishës zgjidhet drejtor i Shkollës së Magjistraturës. Kryeprokurori bojkoton votimin
Edhe Shkolla e Magjistraturës ka rënë në duart e mazhorancës në largim nga pushteti.
Neshat Fana, avokat i kryeministrit në detyrë, Sali Berisha, është zgjedhur drejtor i kësaj shkolle të rëndësishme në përgatitjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Votimi ishte i paralajmëruar.
Bordi i Shkollës së Magjistraturës e ka miratuar emrin e Neshat Fanës duke votuar në mënyrë të hapur.
Një fakt i tillë ka bërë që kryeprokurori Adriatik Llalla, pjesë e bordit drejtues, të bojkotojë votimin, si shenjë proteste ndaj votimit të hapur.
Votimin e kanë bojkotuar edhe dy pedagogë të kësaj shkolle.
Zgjedhja e zotit Fana do të bëhet zyrtare në mbledhjen e radhës të KLD-së, kur të merret në shqyrtim propozimi i bordit të shkollës për Neshat Fanën së bashku me nëntë votat pro tij.
Gjithçka ka nisur në mënyrë shumë të dyshimtë më datë 21 qershor, dy ditë përpara zgjedhjeve, në heshtje dhe larg syve e veshëve të publikut për faktin e thjeshtë se e gjithë vëmendja ka qenë e përqendruar tek votimet.
Në këtë datë, bordi votoi me shtatë vota pro dhe 6 kundër për ti propozuar KLD-së emrin e profesore doktore Marjana Seminit për të drejtuar sërish këtë shkollë. Por në mënyrë të beftë, dy orë pas këtij propozimi, KLD është mbledhur urgjentisht dhe e ka kthyer mbrapsht këtë propozim pa asnjë argument ligjor apo procedural.
Ndërkaq, mes vendimeve të konsideruara skandaloze të emërimit të gjyqtarëve të rinj, të premten e kaluar KLD mori edhe një tjetër vendim të dyshimtë, kur emëroi një anëtar të ri të bordit, gjyqtarin dhe anëtarin e KLD-së, Gjin Gjonin në vend të gjyqtarit Sokol Binaj, i cili kishte votuar pro zonjës Semini.
Në mbledhjen e kësaj të mërkure, e cila është zhvilluar në Gjykatën e Lartë, është diskutuar ky vendim i KLD-së dhe procesverbali që e shoqëronte atë, e që nuk pranonte propozimin e zonjës Semini dhe anëtarët e bordit e kanë cilësuar me të dhëna jo të sakta.
Por pavarësisht se kanë konstatuar problematikën e vendimeve të dyshimta të KLD-së, bordi ka deklaruar të hapur votimin, duke e përjashtuar nga gara zonjën Semini dhe duke vënë përballë njëri-tjetrit për postin e drejtorit të Shkollës së Magjistraturës ish-ministrin e Drejtësisë Enkelejd Alibeaj dhe anëtarin e KLD-së Neshat Fana.
Edhe pse kanë qenë të pranishëm edhe vëzhgues të OSBE-së, ambasadës amerikane dhe asaj franceze, deklarohet se gjatë votimit ka pasur shkelje, sikurse është e drejta e bordit për të votuar në mënyrë të fshehtë.
Një burim i rezervuar tha për Top Channel se votimi është bërë i hapur, çka raportohet të ketë sjellë largimin nga votimi të prokurorit të përgjithshëm Adriatik Llalla dhe të dy pedagogëve aktualë në Shkollën e Magjistraturës.
E pyetur pas këtij votimi, zonja Semini refuzoi të bënte komente, ndërsa kandidati Alibeaj u shpreh se ai nuk ishte vënë në dijeni për mënyrën se si kishin rrjedhur ngjarjet, por i është thënë vetëm që nuk kishte fituar.
Ky vendim pason radhën e vendimeve të diskutueshme të ditëve të fundit në drejtësi, të cilat hedhin më shumë se dyshime të forta për vartësinë politike të sistemit të drejtësisë.