Fituam mbi Berishën, por nuk fituam zgjedhjet!
Fitorja e thellë e opozitës më 23 qershor ka nxitur një vlerësim paraprak pozitiv për zgjedhjet e 23 qershorit. Gjithandej dëgjoj që këto ishin zgjedhjet më të mira dhe të lira në Shqipëri prej vitit 1992. Duket pak a shumë sikur opozita fitoi pushtetin dhe Berisha fitoi të drejtën të thotë se ka bërë zgjedhje të lira.
Në të vërtetë rezultati i thellë arriti të shpëtojë Shqipërinë nga lufta civile dhe përplasja që mund të ndodhte nga dëshira e Berishës për të futur duart tek rezultati i ngushtë nëse do të ndodhte. Edhe pse nuk ja vlen të gjykohet për shkak të rezultatit, fushata e zgjedhjeve të 23 qershorit ishte fushata më e padrejtë, më e pandershme dhe më pak e lirë në këto 22 vite. Si një asnjë rast tjetër në historinë e këtij vendi, në këtë fushatë elektorale, pushteti preku me dorë dinjitetin e çdo shqiptari që mendonte se e kishte në anën e tij, duke e futur nën një sistem kontrolli dhe përdorimi deri në poshtërim. Mësuesit dhe mjekët në gjithë Shqipërinë u urdhëruan të fotografojnë votën, të dalin në mitingje në kuadrate të caktuar, të sjellin të afërmit në votime, dhe të provojnë se i kanë dhënë votën PD. Biznesmenët u futën nën presionin e gjobave dhe donacioneve të dhunshme për pushtetin. Kandidatët problematikë të dalë në zgjedhje, u vunë nën presion duke ju arrestuar njerëzit dhe duke u kthyer në favor të pushtetit. Fondet e buxhetit të shtetit u orientuan në buxhet elektoral. Media u vu tërësisht në një regji propagande gati gëbelsiane, ku flitej vetëm për shifra, numra dhe pamundësi fitoreje të opozitës. Asnjë herë në këto 22 vjet, shqiptarët nuk kanë qenë kaq shumë nën presion dhe nën kontroll për votën e tyre. U shpikën marifete nga më të pështirat qysh nga fleta e gjatë dhe pozicioni i dorës ku do të votoje, deri tek mbledhja e kartave, dhënia e tyre ditën e votimit së bashku me kujtesën se je i vëzhguar.
Dita e zgjedhjeve po ashtu është dita më e përgjakshme e zgjedhjeve në Shqipëri. Zgjedhjet filluan duke vrarë një vëzhgues të opozitës dhe duke u plagosur nga përleshja dhe një kandidat për deputet i Partisë Demokratike në pushtet, pra një skenë e pastër krimi për shkak të zgjedhjeve. Në qarkun e Lezhës, ku zgjedhjet filluan me gjak, duket se kanë përfunduar të manipuluara. Partia Demokratike, por dhe opozita, duket se krijuan bastionet e tyre të detyruara nga gjakderdhja dhe kanë realizuar një proces zgjedhor të shëmtuar. Për llogari të socialistëve rezultojnë kuti votimi problematike, kurse për llogari të demokratëve ka dhe kuti votimi që janë 100 për PD dhe që mbi gjysma e fshatit është në emigracion. Në Tropojë duket qartë se janë mbushur kutitë duke krijuar një gropë prej 5 mijë votash në fshatrat e braktisur, ndërsa gjithë qarku i Kukësit ishte militarizuar nga Ministri i Brendshëm sikur ishte shtetrrethim.
I gjithë ky sfond lufte që parapriu zgjedhjet, mund ta çonte vendin drejt luftës nëse ditën e hënë rezultati do të ishte i ngushtë. Urrejtja popullore për Sali Berishën ishte aq e madhe, sa me gjithë këtë proces zgjedhor të shëmtuar, shqiptarët i dhanë 84 mandate opozitës, mbështetur me rreth 1 milion vota. Ky verdikt historik i shqiptarëve e la pa frymë regjimin dhe paralizoi çdo tentativë të Sali Berishës për të prekur zgjedhjet në kuti. Kjo shpëtoi në një farë mënyre dhe Shqipërinë nga lufta që po vërtitej mbi kokat e shqiptarëve. Kjo bëri të mundur të fitonim mbi regjimin në paqe dhe plot vendosmëri, por jo të fitonim zgjedhje të lira dhe të ndershme siç po thuhet. Zgjedhjet e 23 qershorit nuk ishin zgjedhje të lira dhe as të ndershme. Ato ishin zgjedhje të pabarabarta, të dhunuara dhe të inkriminuara nga pushteti. Fakti që me gjithë këto, shqiptarët ia dolën të prodhojnë përmbysje të regjimit, do të thotë se rezultati do të ishte shumë më lart se kaq. Shqiptarët kanë shkuar drejt kutisë së votimit për të ndëshkuar Sali Berishën dhe këtë e kanë bërë jo vetëm opozitarët, por dhe ata që kanë marrë rrogën e Sali Berishës dhe janë poshtëruar prej tij. Verdikti i madh i 23 qershorit shpëtoi Shqipërinë nga konflikti dhe nga regjimi i Berishës, por Shqipëria ka ende rrugë për të bërë drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Dhe është detyrë e pushtetit të ri ti bëjë ato, si një detyrim ndaj votës plebishitare të shqiptarëve, që bëri të paqenë jo vetëm pushtetin e Berishës, por dhe përpjekjen e tij për të devijuar votën e shqiptarëve.
