Shefja e Shërbimit të Okulistikës në QSUT: I riu i dëmtuar në sy drejt Italisë për operacion të dytë, situata disi më e stabilizuar

TIRANË, 25 tetor/ATSH/ Shefja e Shërbimit të Okulistikës në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Vilma Mema informoi sot mbi situatën shëndetësore të 28-vjeçarit Erion Vishkulli, i cili u dëmtua në sy gjatë protestës së mbrëmshme.
Mema tha se i riu do të dërgohet në Itali, për një ndërhyrje të dytë kirurgjikale, për të hequr trupin e huaj nga syri.
“Mbrëmë është kryer ndërhyrja nga mjekët e Shërbimit Universitar Nënë Tereza në QSUT. Sot kemi disa shenja pozitive pas konsultës me stafin e gjerë. Situata duket disi më e stabilizuar nga përfundimet që ne konstatuam dje. Përsëri stafi ka arritur në përfundimin se duhet kryer edhe një ndërhyrje e dytë, ajo e vitektromisë për heqjen e trupit të huaj, që kryhet në shërbimin e QSUT-së Nënë Tereza, por për një rezultat më të mirë të mundshëm të 28-vjeçarit, kemi bërë një bashkëpunim me një klinikë të specializuar për retinën dhe traumat në Itali”, tha ajo.
Mema theksoi se është kontaktuar me Ministrinë e Shëndetësisë, e cila është vënë në dispozicion për të kryer transportin e pacientit sot.
“Jemi në bashkëpunim me mjekët atje sesi do të kryhet ndërhyrja e dytë dhe si do të jetë vijimësia në të ardhmen. Për sa i përket shikimit, është në të gjithë protokollet ndërkombëtare, kryhet ndërhyrja e parë dhe më pas pritet një ndërhyrje më e specializuar. Kjo do duket në ditët në vijim”, tha Mema.
/m.m/j.p/