Merja: Arsimi në pikë kritike, Partia e Lirisë angazhim për mbështetje reale

TIRANË, 4 maj/ATSH/ Zëdhënësja e fushatës së Partisë së Lirisë, Arla Merja u shpreh sot në një deklaratë për mediet se arsimi në Shqipëri ndodhet sot në një pikë kritike.
Sipas saj, shkollat në qytete dhe veçanërisht në zonat rurale janë në kushte skandaloze. “Mungesë librash, mungesë ngrohjeje, mungesë infrastrukture bazë. Laboratorët e mbyllur, klasat e mbipopulluara, dhe teknologjia – një koncept që nuk ekziston për shumicën e shkollave në Shqipëri”, u shpreh Merja.
Sipas saj, mësuesit janë të keqpaguar, të lodhur dhe të pambrojtur.
“Qeveria shpall projekte për digjitalizim dhe për “shkolla inteligjente”, ndërkohë që në shumicën e shkollave ende nuk ka internet apo ujë të rrjedhshëm. Reforma e premtuar në arsimin e lartë ka prodhuar tarifa të papërballueshme dhe universitete të shndërruara në biznese, jo në qendra dijeje”, theksoi ajo.
Sipas zëdhënëses Merja, angazhimi i Partisë së Lirisë është i qartë: investim serioz në infrastrukturë, rritje e pagave për mësuesit, mbështetje reale për arsimin profesional dhe rishikim i thelluar i politikave arsimore me përfshirjen e të gjitha palëve të interesit.