Shehi: E djathja ka prekur fundin, tashmë duhen ide dhe personazhe të reja
Kur kanë mbetur rreth dy javë nga mbledhja e parlamentit të ri, dhe Partia Demokratike lë qeverisjen, Dashamir Shehi sugjeron një opozitë të fortë dhe konstruktive, që duhet të përqendrojë energjitë e saj tek reformat kushtetuese. Ai vlerëson se janë të domosdoshme ndërhyrjet në ligjin e zgjedhjeve dhe në ndarjen administrative të vendit.
“Janë çështjet kushtetuese, janë çështjet e administrimit të shtetit, janë çështjet elektorale, janë çështjet e administrimit të territorit të Shqipërisë, që është një nga difektet më të mëdhaja ku shteti shqiptar difekton në mënyrë të dukshme. A do vazhdojmë me 400 komuna e bashki? Këto duhet të jenë flamujt e opozitës. Sigurisht kjo nuk është e lehtë, sepse deri dje ishte qeverisëse“, thotë Shehi për “AS”.
Por, kjo lloj opozite sipas Dashamir Shehit kërkon një riorganizim të së djathtës, personazhe dhe ide te reja dhe shmangie të të bërit politikë rurale.
“Kjo maxhorancë që ishte sot ka takuar fundin. Kaq poshte nuk ka qenë ndonjëherë në 20 e ca vjet. Tani i takon ngjitja, por ngjitja do të bëhet me personazhe të reja, ide të reja. Duhet të largohet nga kjo butafori politike, pak rurale”- thotë Shehi.
Por a mundet Lulzim Basha të ushtroj detyrën e kryetarit të Partisë Demokratike, me Sali Berishën ende aktiv në politikë?
“Unë e gjykoj që zoti Basha i ka të gjitha mjetet e nevojshme. Është kryetar i partisë më të madhe opozitare, është kryetar i bashkisë më të madhe të Shqipërisë. Berisha në një farë mënyre është larguar“- thotë Shehi.