Shehi: Ka pasur bërryla në zgjedhjen e kreut të PD. Basha ka pushtetin real sot tek partia
Kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, shprehet se Olldashi ka të drejtë në renditjen e disa parregullsive me listat, me fletën e votimit që ishte identifikuar etj.
Mund të ketë të drejtë për disa gjëra. Shumë prej këtyre gjërave kanë ndodhur, por kjo e ka bërë të vërtetë procesin. Kjo është histori reale, nuk është e sajuar. Ka pasur edhe bërryla, por në fund të fundit është luftë për pushtet. Ai mund të ketë të drejtë, por diferenca e rezultatit legjitimon Bashën, shprehet Shehi.
Për sa iu përket deklaratave të Patozit, Shehi komenton se: Gara nuk mund të bëhej mes të panjohurve. Mes kujt do të bëhej gara? Do bëhej mes personazhesh reale, që janë investuar më tepër. Kë ka PD-ja më shumë se sa ai që është kryetari i Bashkisë së Tiranës. Patozi vetë do të hynte në garë? Jam i sigurt që nuk do hynte. Gjykoj që Berisha, edhe përtej interesave të tij, këtë do të zgjidhte. Edhe ata që janë brenda PD-së, përtej interesave me klane që mund të përfaqësojnë, unë jam i sigurt se këtu do ti shkonte përzgjedhja sepse ky është personazhi më i investuar sot, ky ka pushtetin më të madh në PD. Vetëm Bashën ka PD-ja sot me pushtet real. Të mos harrojmë që Rama e drejtoi PS-në dhe e solli në fitore vetëm përmes Bashkisë së Tiranës. Ky është realitet konkret, është e kotë që ta mohojmë, nënvizon në gazetën Panorama Shehi./A.Xh