E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shehu: Aminstia fiskale, e domosdoshme

Amnistia fiskale është e domosdoshme ndërsa mënyra sesi ajo do të aplikohet mbetet një cështje për tu diskutuar. Deputeti i shumicës Sherefedin Shehu thotë se aplikimi i amnistisë fiskale e kthen ekonominë në normalitet dhe i jep fund një evazioni të dukshëm por që ende nuk është pranuar ligjërisht.

"Unë mendoj që amnistia fiskale tashmë është diskutuar prej vitesh, ka patur pro dhe kundra, mendoj që në fazën që jemi ne duhet që ta shpejtojmë dhe ta zbatojmë. Se si duhet ta zbatojmë ne duhet të konsiderojmë të gjitha aspektet e saj", tha Sherefedin Shehu, deputet i PD.

Një arsye më shumë për të aplikuar amnistinë fiskale zoti Shehu e sheh të mundësia që i krijohet ekonomisë për të riatdhesuar kapitale të krijuar nga shqiptarët jashte vendit.

"Ne do të konsiderojmë faktin që kemi patur një pjesë të shqiptarëve në emigracion, të cilët kanë punuar në mënyrë të ligjshme dhe të paligjshme. Por në esencë ata kanë punuar në mënyrë të ligjshme sepse i kanë fituar paratë me djersë. Kjo e bën prapë të domosdoshme amnistinë fiskale", thotë Shehu.

Amnistia fiskale e propozuar nga komuniteti i biznesit është kthyer tashmë në një debat publik. Një miratim paraprak për të e ka dhënë edhe Ministria e Financave.

Adi Darsi

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›