E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konflikti, shpërbëhet LSI e Fierit

 Ish-kryetari i LSI-së së Fierit, Haxhi Kalluci deklaroi dje se kjo shpërbërje erdhi si rezultat i qëndrimit të kreut të LSI-së, Ilir Meta

"Këto mënyra bëjnë atë që votat e së majtës bashkohen me të djathtën, shembet e rrëzohet vendimi politik"

FIER- Politika e Lëvizjes Socialiste për Integrim ka dështuar tërësisht në qytetin e Fierit, duke sjellë edhe shpërbërjen totale të saj në këtë qytet. Nga dje, 270 anëtarë të saj do të përqafojnë politikën e Partisë Socialiste të Fierit, duke braktisur përfundimisht LSI-në. Ish- kryetari i LSI-së së Fierit, Haxhi Kalluci deklaroi dje se kjo shpërbërje e partisë, që ai udhëhiqte pak kohë më parë, erdhi si rezultat i qëndrimit të kreut të LSI-së, Ilir Meta dhe deputetit të zonës, Dritan Prifti. Gjatë një takimi të organizuar dje, Kalluci bashkë me anëtarët e tjerë, që tashmë do të jenë anëtarë të PS-së, u shprehën të zhgënjyer ndaj LSI-së, duke shpresuar tashmë për një politikë te re dhe të pastër. Kalluci shprehu zhgënjimin e tij për politikën autoritariste të kreut të partisë Ilir Meta, i cili, sipas tij, u frymëzua nga makutëria, babëzia dhe interesat klanore të individëve të veçantë brenda LSI-së. "Politika e LSI-së frymëzohet nga makutëria, babëzia dhe interesat klanore të individëve të veçantë brenda saj. Ai shkrin kryesira edhe sikur të prodhojnë mjaltë",- tha gjatë fjalës së tij Kalluci, i cili njoftoi edhe kalimin e tij dhe qindra anëtarëve tek Partia Socialiste. Duke përmendur pikërisht mënyrën se si është operuar tek LSI e Fierit, Kalluci u shpreh se metoda të tilla, po e nxjerrin partinë nga kontrolli. "Në kuptimin më të mirë të fjalës, këto mënyra bëjnë atë që votat e së majtës bashkohen me të djathtën, shkelet koalicioni, shembet e rrëzohet vendimi politik, vetëm për interesa të klanit e individëve makutë, të babëzitur",- tha ai. Gjatë fjalës së tij, ish-kryetari i LSI-së shtoi se ajo pjesë që nuk u manipulua, (duke iu bashkuar tashmë PS-së) ka respektuar principet e moralin, duke mos pranuar të shiten nga joshjet e shëmtuara. "Ata nuk mund të pajtohen me këto devijime të votës nga e majta në të djathtë, nuk mund të pajtohen me frymën e klanit, nuk mund të pajtohen me frymën demagogjike, nuk mund të pajtohen me forma të grumbullimit të njerëzve me pagesë që i nisin për mitingje sa nga Jugu në Veri, nuk i quajnë frutdhënëse, qoftë edhe ahengjet që bëhen me rininë etj.",- tha ai. Kalluci shtoi se, prej muajit Dhjetor ka munguar fryma e kolegjialitetit, koncept ky i domosdoshëm, sipas tij, për frymën, klimën dhe garantimin e unitetit në parti. Takimi që shënoi thyerjen e një heshtjeje të ish- kreut të LSI-së në Fier u zhvillua në praninë e rreth 270 anëtarëve, nga këta, 67 kryetarë organizatash.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›