E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shembet tavani i klasës, lëndohet mësuesja e gjuhës shqipe

Pavarësisht se vetëm pak kohë më parë i është nënshtruar rikonstruksionit, 10 klasa kanë probleme me tavanet


KORÇË- Shembet tavani i një klase në shkollën 9-vjeçare "Naum Veqilharxhi", ndërsa plagoset mësuesja e lëndës së gjuhës shqipe. Ndërkohë, kërcënohen nga shembja dhe më shumë se 150 nxënës të tjerë që mësojnë në katin e tretë të kësaj shkolle.


Cilësitë e dobëta të punimeve të kryera disa vjet më parë, por dhe lagështia e madhe e akumuluar gjatë kësaj stine me reshje të shumta, kanë provokuar shembjen.


Duke iu referuar të dhënave nga vendi i ngjarjes, mësohet se shembja ka ndodhur mesditën e të enjtes gjatë kohës që klasa e 8A ishte duke zhvilluar lëndën e gjuhës shqipe. Mësuesja Nadia Kondili ishte duke shpjeguar mësimin, ndërsa një zhurmë e fortë është shoqëruar me shembjen e pjesshme të tavanit.


Në mënyrë instinktive nxënësit kanë braktisur klasën duke lëshuar britma të shumta, ndërsa nuk i ka shpëtuar disa dëmtimeve në trup mësuesja e tyre, e cila ndodhej shumë pranë pjesës së rrëzuar.


Paniku ka përfshirë klasën, madje krejt shkollën 9-vjeçare "Naum Veqilharxhi", e cila ndodhet në afërsi të vendit të quajtur "Trekëndëshi" në qytetin e Korçës. Klasa që ka përjetuar dhe momentet e frikshme, ka pezulluar krejt procesin mësimor, ndërsa drejtuesit e shkollës kanë njoftuar me urgjencë drejtuesit e Drejtorisë Arsimore. Ky institucion ka dërguar një grup të posaçësm specialistësh të cilët pas verifikimeve në terren kanë nisur ndërhyrjen për të riparuar dëmin.


Vetëm disa vjet më pare, shkolla "Naum Veqilharxhi" i është nënshtruar ndërtimit të çatisë së re, ndërkohë që një firmë nga qyteti i Korçës ka kryer punime jashtë të gjitha parametrave teknike. Punimet janë marrë në dorëzim pavarësisht problemeve të dukshme të tyre, të cilat mund të shoqërohen me të tjera shembje.


Tavani tashmë është harkuar dhe në më shumë se 10 klasa që ndodhen në katin e tretë të kësaj shkolle. Janë afro 150 nxënës të tjerë që kërcënohen deri me jetën nga një ngjarje tjetër me përmasa ndoshta edhe më të mëdha.


Për fat të mire, shembja e tavanit nuk ka shkakuar plagosje të nxënësve të klasës me përjashtim të disa dëmtimeve të lehta të mësueses së tyre, Nadia Kondili. Drejtuesit e shkollës pas kësaj ngjarjeje kanë zhvendosur klasën ku ka ndodhur shembja në një tjetër ambient, ndërkohë që mësuesja ka shkuar në shtëpi pas ndodhisë

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›