Tuneli i Kalimashit, 50 euro për të kaluar në të

Menaxheri turk i tunelit akuzon policinë dhe punonjësit shqiptarë për marrje parash në këmbim të kalimit
Salih Alkan pohon se vetëm drejtori i Përgjithshëm i Rrugëve mund të japë leje për të
lëvizur në tunel
KUKËS - Personat që menaxhojnë tunelin e Kalimashit lejojnë qarkullimin në tunel për persona të veçantë, kryesisht funksionarë shtetërorë lokalë të Kukësit, por edhe ata qendrorë, duke shkelur ligjin.
Madje, leje të falsifikuara për të siguruar kalimin në tunnel janë shitur deri në 50 euro për shtetas të ndryshëm, sidomos ata kosovarë. Lidhur me një fakt të tillë, menaxheri i tunelit të Kalimashit, turku Mehmet Salih Alkan, mohon të ketë shkelur ndonjë rregull apo ligj.
Pyetjes së "Shekulli"-it për kalimin e njerëzve dhe automjeteve për persona të veçantë përmes tunelit të Kalimashit, Salih Alkan i përgjigjet: "Në disa raste, kur nuk pengohet puna, kam lejuar të kalojnë përmes tunelit vetëm trupat e pajetë të njerëzve që kanë vdekur në spitalet e Tiranës, apo të sëmurët rëndë. Kjo ndodh vetëm në orët kur ndërrohen turnet, në mëngjes dhe në darkë. Sot kaluam me ambulancë një fëmijë që ishte rrëzuar nga pema dhe për këtë besoj se edhe ju jeni dakord".
Por kohët e fundit, kalimi në tunelin e Kalimashit ka qenë tepër i dendur. Punonjës të këtij tuneli pohojnë se në të nuk kanë kaluar vetëm të sëmurët apo trupat e vdekur, por edhe persona të tjerë, përfshi zyrtarë lokalë të Kukësit apo persona të lidhur me ta. Madje, përmes tunelit ka kaluar për në Kosovë edhe ministri i mbrojtjes, Arben Imami, me eskortën e tij. I vënë përpara një fakti të tillë, menaxheri i tunelit të Kalimashit thotë se këta persona janë pajisur me leje nga drejtori i Përgjithshëm i Rrugëve, Andi Toma.
Por teksa pyetet për lëvizjet e dendura në tunel përgjatë kohëve të fundit, menaxheri i tunelit të Kalimashit e justifikon këtë me faktin se është falsifikuar firma e tij dhe lejet janë shitur nga persona të ndryshëm për të cilën po heton kompania. Lejet e lëshuara nga menaxheri i tunelit janë falsifikuar përmes skanerit dhe më pas u janë shitur personave të veçantë, të cilët i kanë paraqitur tek porta e tunelit duke mundësuar kalimin në tunel.
"Për këta persona po hetojmë dhe do të bëjmë denoncim në prokurori", thotë menaxheri i tunelit të Kalimashit. Ndërkohë, ai akuzon edhe policinë duke u shprehur se ajo është e përfshirë në kalimin e personave dhe automjeteve përmes tunelit të Kalimashit. Më tej mësohet se një punonjës është pushuar nga puna, pikërisht si i dyshuar në kalimin e personave në tunnel.
Por, sipas dëshmive të policisë në stacionin e tunelit të Kalimashit kanë mundur të qarkullojnë me lejen e menaxherit Salih Alkan edhe një numër administratorësh dhe drejtuesish vendorë, policisë, prokurorisë dhe gjykatës. Por vetë menaxheri e mohon, duke ia kaluar përgjegjësinë drejtorit të Përgjithshëm të Rrugëve. "Unë nuk kam pajisur asnjë person me leje për qarkullim në tunel.
Për lëshimin e lejeve është kompetent drejtori i Përgjithshëm i Rrugëve, Andi Toma", sqaron menaxheri Salih Alkan. Ndërkohë që dyshohet se punonjës të policisë, por edhe të kompanisë "Bechtel&Enka" janë të përfshirë në kalimin e personave dhe automjeteve përmes tunelit të Kalimashit.
Burime brenda kompanisë bëjnë të ditur se shtetas shqiptarë, por edhe ata nga Kosova ofrojnë shuma parash në këmbim të kalimit përmes tunelit. Madje, shtetasit nga Kosova ofrojnë deri në 50 euro për kalimin në tunel.
Menjëherë pas fillimit të investigimit nga ana e gazetës për kalimin e personave të veçantë dhe automjeteve të tyre përmes tunelit të Kalimashit, të mërkurën në mëngjes, personat që menaxhojnë tunelin kanë shpallur të pavlefshëm çdo leje të lëshuar nga çdo lloj personi për kalimin.
"Të vetmit persona që mund të kalojnë përmes tunelit janë presidenti, kryeministri dhe kryetarja e parlamentit", thuhet në njoftimin e shpallur ditën e mërkurë në hyrje të tunelit të Kalimashit.
Ndërkohë që për nevoja pune dhe që kanë lidhje me projektin lejohen të kalojnë në tunel edhe punonjësit e Ministrisë së Transporteve dhe ato të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.
Por qarkullimi përmes tubit verior të tunelit të Kalimashit bëhet në kundërshtim me rregullat e sigurimit teknik. Në bazë të rregullores që vepron për të tilla raste, kur personat kalojnë përmes tunelit, duhet të ngrihet grupi i monitorimit që duhet të shoqërojë këto persona. Në përbërje të këtij grupi janë zjarrfikësit dhe mjete të tjera avaro-shpëtuese, gjë që nuk po zbatohet.
Duke filluar nga ora 19:00 e ditës së diel, datë 11 tetor 2009, tuneli i Thirrës, në segmentin Rrëshen - Kalimash, është mbyllur.
Tuneli sipas njoftimit të Ministrisë së Transporteve është mbyllur me qëllim që t'i jepet mundësi kompanisë ndërtuese të përfundojë instalimin e pajisjeve elektromekanike, të domosdoshme për funksionimin e tij, si dhe për të sistemuar presionin e krijuar nga një shtresë gjeologjike jo e qëndrueshme në një segment të vogël, një situatë kjo e paparashikuar.
Rrjedhimisht, qarkullimi ka vazhduar përmes aksit të vjetër rrugor, në drejtimin Morinë - Kukës - Shpal - Reps - Rrëshen - Milot dhe anasjelltas. Në një njoftim të saj për shtyp kompania "Bechtel&Enka" ka deklaruar se në tubin që është funksional, lejohet vetëm qarkullimi i mjeteve të kompanisë për efekt të punimeve që po kryhen.
Por në fakt ka rezultuar e kundërta: muajin e fundit kanë qenë dhjetëra automjete private apo të funksionarëve shtetërorë që nuk kanë lidhje me kompaninë, që kanë qarkulluar përmes tunelit të Kalimashit.