Shembja e bipolarizmit nga ekstremizmi
Zgjedhjet në Greqi duket se kanë lënë pa qeveri shoqërinë greke, por dhe pa perspektivë bipolarizmin e dy partive të mëdha. Miliona grekë, të bindur se përgjegjës për dështimin janë dy partitë kryesore që kanë qeverisur 20 vitet e fundit Greqinë, gjetën ngushëllim në parti ekstremiste, që nga ato me karakter nazist, deri tek fraksione staliniste dhe komuniste të së majtës greke, që zgjati kokën pas ferrave të krizës së fundit.
Por leksioni më i hidhur që dhanë zgjedhjet greke ishte se në moment krizash politika e ka për detyrë të ngjallë shpresë me qëndrime morale dhe tërësisht të besueshme. Manovrat e stërzgjatura politike të PASOK-ut dhe Demokracisë së Re, ndërrimi i kuajve për të shmangur përgjegjësinë për mënyrën se si kanë qeverisur Greqinë, ndërrimi i etërve me bijtë, mungesa e një alternative të qartë shpresëdhënëse dhe baltosja thuajse njësoj e të dy palëve, bënë që ata ti drejtohen ekstremeve të majta dhe të djathta, duke lënë pa perspektivë Greqinë, ashtu siç e la në të vërtetë politika.
Në të vërtetë ajo që ndodhi në Greqi, ndodhi pak a shumë dhe në Serbi, përveç faktit se aty dy partitë e mbrapshta, ajo nacionaliste dhe ish- socialistët e Milosheviçit, janë më të qartë dhe më të moralshëm në ruajtjen e identitetit të tyre kriminal.
Në Shqipëri, ku humbja e moralit në politikë është bërë identitet i vetëm i politikës, ekzistojnë rrethana të ngjashme si tek fqinjët tanë. Koalicioni në pushtet është bërë simbol i mungesës së moralit, jo vetëm me skandalet e tij financiare, politike, korruptive, dhe kushtetuese, por dhe me përpjekjen për të rifutur në lojë dhe për të ripërdorur karta të vjetra të politikës shqiptare. I ndërgjegjshëm për këtë status, Berisha po përpiqet po ashtu të bëjë pis dhe opozitën, ta përfshijë dhe atë në valën e marifeteve të tij, duke e bërë pis për tu dukur njësoj para shqiptarëve. Në skenë po shfaqen dita- ditës mashtrues ordinarë të kohës së Fatos Nanos, burgaxhinj, që bëjnë sikur janë sekserë mes opozitës dhe pushtetit me qëllim që pushteti të mos rrëzohet nga shqiptarët, por të rrotullohet rreth tyre e prej tyre. E gjithë kjo krijon një aversion tek shqiptarët e thjeshtë, që kur thotë Nano do bëhem president, u kujtohet Nari, kur thotë Meta do fus Shqipërinë në BE, u kujtohet kaseta, kur thotë Berisha që Serbia është barbare, u kujtohet Fazlliçi dhe miliardat që Berisha u jep serbëve, kur thotë Rama që do shkoj tek Fevziu, u kujtohet batuta e famshme të fala Sandrit.
Në kushte të tilla depresive për shoqëritë, kur gjithë palët bëjnë pis njëra- tjetrën dhe askush nuk përpiqet të qëndrojë në këmbë me një kartë morale, nuk është çudi që forca të reja, gjysmë të besueshme si nacionaliste dhe ekstremiste, por me një retorikë të ashpër kundër kësaj situate, të fitojnë terren dhe ne të shkojmë drejt zgjedhjeve të reja, duke tronditur rëndë bipolarizmin, i cili u ndërtua për të zhdukur të tretët.
Ajo që ndodhi në Greqi për shembull është diçka që ka ndryshuar në thelb dhe sistemin elektoral. Ligji elektoral grek ka siguruar stabilitet qeverisës, pasi partisë së parë i jepte një prim që shkonte në 50 plus 1 mandat, me qëllim që të qeveriste, por kishte si kusht që dyshemeja e fituesit të ishte së paku 30 për qind. Zgjedhjet e fundit e rrëzuan ligjin, pasi partia e parë është 18 për qind dhe Greqia është krejt e papërgatitur për këtë. Siguria e tepruar se sistemi elektoral shqiptar do mbrojë bipolarizmin dhe sdo lejojë të tretët të dalin në skenë, mund të përmbyset nga retorika nacionaliste, biles ndonjë herë dhe nga teza që shumë vetë kanë dëshirë ti besojnë, edhe pse ato nuk bëhen, siç kanë dëshirë grekët të besojnë se ca komunistë idiotë dhe ca fashistë të sëmurë do shpëtojnë Greqinë. Por të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se partitë nacionaliste apo komuniste kanë lindur nga situata të tilla të ngjashme dhe kanë marrë mbështetje popullore pasi njerëzit kanë humbur shpresat nga regjime që degradojnë moralisht dhe nga mungesa e shpresës për ti përmbysur ata me fuqinë progresive të shoqërisë. Është fat i madh që këtu ka pak ekstremistë apo nacionalistë që mund të bëhen rrufepritës për shpresë-humburit e demokracisë, por as në Greqi apo Serbi ata që po fitojnë nuk shkëlqejnë aq shumë si shpresë. Ata thjesht janë të qartë, kurse ata që sundojnë nxijnë. Ekstremizmi nuk sjell shpresë, por kur njeriu është i zemëruar duhet të hedhë një gur diku.
