E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shembja e tavanit në magazinën e Ersekës, rëndë vajza 8-vjeç

ERSEKË- Një nga tre të mbijetuarit, pas shembjes e tavanit të magazinës të grumbullimit të grurit në qytetin e Ersekës ndodhet në gjendje kritike për jetën.
Sipas burimeve nga spitali i Korçës, mësohet se Elton dhe Altin Shkoza përkatësisht 11 dhe 22-vjeç pas ndërhyrjeve të mjekëve kanë kaluar situatën emergjente dhe kanë dalë nga dhomat e reanimacionit, e rënduar paraqitet gjendja për 8-vjeçaren Klodiana Shkoza. Ajo, sipas mjekëve ka marrë disa goditje ne kokë si dhe ka pasur edhe disa fraktura në trup.
Eltoni dhe Altini pjesëtarë të së njëjtës familje tregojnë të traumatizuar se si ka ndodhur ngjarja. "Teksa ishim në pjesën e brendshme të godinës dhe po largonim disa tulla, me anën e një kazme po mundoheshim që të nxirrnim nga disa pjesë çimentoje hekurin kur krejt pa pritur, çatia u shemb. Ne ishim në pjesën dalëse të godinës dhe fatmirësisht mundëm që të shpëtonim nga vdekja me disa dëmtime trupore, pasi çatia nuk na zuri plotësisht"- thonë ata.
Poshtë saj, si tregojnë ata kishin mbetur dy prej 5 vetëve që ishin gjithsej, Fatoni dhe Shpëtimi.
Ata tregojnë se në ndihmë i erdhën disa banorë, të cilët më pas i nisën me ambulancë në spital.
Të mbijetuarit rrëfejnë se nuk e kishin herën e parë që rrëmonin për hekur, por kësaj radhe ndoshta nuk u treguan të kujdesshëm.
Ngjarja ndodhi pasditen e djeshme, kur në rrëmim e sipër për hekurishte, çatia e godinës së amortizuar u shemb dhe u mori jetën dy personave.


Shembet tarraca, 2 të vdekur, 3 të plagosur

ERSEKË- Kanë qenë duke mbledhur hekur për ta shitur për skrap, kur tarraca e ndërtesës i ka zënë poshtë dhe ka lënë të vdekur dy prej tyre dhe plagosur tre të tjerë. Ngjarja e rëndë ndodhi sot pasdite në magazinat e ish Ndërmarrjes së Grumbullimit, në qytetin e Ersekës, në afërsi të fshatit Psar, në momentin që pesë të rinjtë, të moshës 10-21-vjeç po mblidhnin mbeturina hekuri për t'i shitur.
Sipas burimeve të policisë, nga shembja e tarracës gjeti vdekjen 21 vjeçari Fatjon Shkoza dhe 12-vjeçari Sh. Shkoza.
Ndërkohë që të plagosur mbetën Altin Shkoza, 23-vjeç; E. Shkoza, 12-vjeç dhe
K. Shkoza, 7-8 vjeç.
Menjëherë pas ngjarjes kanë ndërhyrë forcat e policisë dhe zjarrfikëses, që kanë bërë të mundur nxjerrjen e trupave nga rrënojat dhe vetëm tre prej tyre kanë shpëtuar gjallë. Ata janë transportuar për në Spitalin Rajonal të Ersekës dhe më pas për kujdes më të specializuar në Spitalin Rajonal të Korçës. Sipas mjekëve, mësohet se ata janë jashtë rrezikuar për jetën.
Policia pasi ka bërë hetimet në vendin e ngjarjes ka konstatuar se tarraca është shembur si pasojë e punimeve të kryera në ndërtesë, të cilat kanë dëmtuar konstruktin mbajtës të saj.
Vetëm pak kohë më parë, një tjetër fëmijë në Shkodër gjeti vdekjen, pasi u zu poshtë nga një kamion mbeturinash, teksa ishte duke kontrolluar në plehra. Punë, që e bënte për të nxjerrë bukën e gojës.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›