PS-PD, nesër beteja për Fierin. Miratohet bashkimi i ankimimeve
TIRANE- Ditën që KQZ duhet të merrte në shqyrtim kërkesën e PS-së për Fierin dhe 9 kutitë e shumëdebatuara, këtij institucioni i është drejtuar edhe Partia Demokratike me një ankimim. Sipas kërkesës së lexuar në mbledhjen e pasdites, PD ankimon rezultatin në Fier dhe në Lezhë, ku kërkon rinumërim dhe rivlerësim të votave. Pas hedhjes në votim, KQZ ka miratuar të marrë shqyrtim këtë ankimim.
Në mbledhjen e pasdites, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka diskutuar në lidhje me bashkimin e kërkesave ankimore, për t'i shqyrtuar ato së bashku për shkak të kundërshtimeve të njëjta që përmbajnë.
Sipas kreut të KQZ-së, Arben Ristani është shumë e logjikshme që kërkesat të shqyrtohen së bashku, pasi kanë kundërshtime të njëjta dhe ligji parashikon bashkimin e ankimimeve. Ndërkohë nënkryetarja Dëshira Subashi ka kërkuar procedimin e shqyrtimit të kërkesës ankimore të Partisë Socialiste duke theksuar se kërkesa e PD-së mund të shtohet gjatë procesit.
Megjithatë ky propozim u hodh në votë dhe me shumicë votash, 4 pro e 3 kundër u vendos që kërkesë ankesat për qarkun e Fierit të shqyrtohen së bashku.
Debate ka pasur mes përfaqësuesve të PD-së dhe PS-së në komision lidhur me kohën e shqyrtimit të tyre. Përfaqësuesi i PS-së, Genc Gjonçaj ka kërkuar mos zvarritjen e ankimimeve.
Pas shumë debatesh, KQZ-ja ka vendosur të shtyjë për nesër ankimimin për Fierin.
*****
Çështja më e nxehtë e rezultatit të zgjedhjeve, kutitë e Fierit diskutohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pas ankimimit të PS për të numëruar votat.
Debate të ashpra priten mes anëtarëve të djathtë dhe të majtë në KQZ.
Në mënyrë unanime, ky institucion ka pranuar dje që të marrë në shqyrtim kërkesën ankimore të selisë rozë për të numëruar dhe vlerësuar të gjitha fletët e votimit të 9 qendrave të votimit, të cilat janë bllokuar prej ditësh në KQZ.
Në aktankesën e saj per Fierin, Partia Socialiste ka paraqitur 13 kërkesa, që kanë të bëjnë si me rrëzimin e vendimeve të ndërmjetme, që këto katër KZAZ kanë marrë për miratimin e tabelave përmbledhëse të rezultateve, ashtu edhe me kërkesat për hapjen e kutive të bllokuara dhe përfshirjen e tyre në rezultatin final të të gjithë qarkut.
Ndërkohë, sot ky institucion pritet të marrë në shqyrtim pretendimin e PS-së për të rivlerësuar ose jo, votat në 4 KZAZ-të e Qarkut të Beratit.